Rritja në nivel rekord e çmimit të thëngjillit pas shpërthimit të luftës në Ukrainë, ishte konsideruar si mundësi e mirë për Kosovën që ta shiste thëngjillin me çmim mjaft të leverdishëm, kur dihet se vendi ka shumë rezerva.
Interesim për blerje kishte shfaqur edhe Maqedonia e Veriut, qysh në fund të vitit të kaluar. Kishin nisur edhe negociatat për këtë punë. Nga KEK kanë treguar nëse po eksportojnë qymyr drejt këtij shteti apo ndonjë shteti tjetër.
Në fund të dhjetorit të vitit të kaluar, kur vendi përballej me krizë energjetike, Maqedonia e Veriut planifikonte blerjen e thëngjillit nga Kosova.
Ministri i Ekonomisë së Maqedonisë së Veriut, Kreshnik Bekteshi ishte takuar me homologen kosovare, Artane Rizvanolli dhe drejtorin e KEK-ut, Nagip Krasniqi, për të diskutuar për këtë punë.
Përmes një postimi në Facebook, Bekteshi kishte thënë se kanë filluar negociatat për importimin e thëngjillit nga Kosova.
“Për ta tejkaluar çdo krizë sigurisht se kërkohet bashkëpunim dhe me ministren Rizvanolli u dakorduam që bashkëpunimin tonë të shkëlqyeshëm ta thellojmë edhe më shumë në të ardhmen dhe ta tejkalojmë sa më shpejtë edhe sfidën me krizën energjetike! Nga sot ne filluam edhe negociatat për importin e thëngjillit nga Republika e Kosovës, ku paraqitëm edhe një draft verzion të Memorandumit për bashkëpunim! Shpresoj që pas shqyrtimit të të gjithë kapaciteteve dhe nevojave të të dyja vendeve të arrijmë deri te një marrëveshje konkrete me çka do të ndikojë drejtpërdrejt në tejkalimin e krizës energjetike në të dy vendet”, kishte shkruar Bekteshi.
Prej atëherë duket se ende s’ka diçka konkrete.
Nga Korporata Energjetike e Kosovës kanë deklaruar se për këtë vit s’ka pasur ndonjë kontratë për shitjen e qymyrit.
Skënder Bucolli nga Zyra për Media e KEK’ut i ka thënë Gazetës Express se në prill të këtij viti janë zhvilluar bisedime me Maqedoninë e Veriut për mundësinë e bashkëpunimit në lidhje me furnizimin e termocentraleve me thëngjill.
“Korporata Energjetike e Kosovës ju njofton se këtë vitë nuk ka pas ndonjë kontratë për shitjen e qymyrit jashtë vendit. Për më tepër ashtu siç kemi njoftuar edhe më parë, në prill të këtij viti ka pas takime në mes të KEK-ut dhe ESM-së, ku janë diskutuar sfidat dhe objektivat e sektorit energjetik të të dy vendeve e me theks të veçantë për mundësinë e bashkëpunimit në lidhje me furnizimin e termocentraleve me lëndë të parë (thëngjill)”, ka deklaruar Bucolli.
Sipas Bucollit, kjo mundësi do të shqyrtohet tek pasi KEK të sigurojë sasinë e mjaftueshme të thëngjillit për termocentralet e KEK’ut.
“Në këtë drejtim, KEK ka bërë të ditur se do të bëjë të gjitha përpjekjet që pas sigurimit të sasive të mjaftueshme të thëngjillit për termocentralet e KEK-ut, do të shohë mundësinë e eksportit të thëngjillit edhe në Maqedoninë veriore. Lidhur me zhvillimet e mundshme në këtë drejtim, KEK-u ju siguron se do të njoftoheni me kohë”, thuhet në përgjigjet e Bucollit drejtuar Gazetës Express.
Ndryshe, pas fillimit të luftës në Ukrainë, në mesin e shumë produkteve që u ishin rritur çmimet, ishte edhe thëngjilli. Madje, çmimi i thëngjillit kishte arritur në nivel rekord, duke u shitur 400 dollarë.
Gazeta Express kishte pyetur në atë kohë Qeverinë e Kosovës nëse po planifikonte ta shfrytëzonte këtë situatë, kur dihet se Kosova ka rezerva të madhe të thëngjillit, por që s’ishin përgjigjur.
Për këtë opsion ishin deklaruar njohësit e fushës.
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajramin, kishte deklaruar se s’ka asgjë të keqe që Kosova t’iu shesë thëngjill shteteve të tjera, nëse ka kapacitete të mjaftueshme të mihjes.
Madje, kishte thënë se shitja do të ishte vendim i duhur.
Paratë që do të merreshin nga shitja e thëngjillit, ajo kishte sugjeruar të përdoren për ta lehtësuar barrën e krizës energjetike në vend.
“Tani që Kosova ka rezerva të mëdha të thëngjillit dihet botërisht, por kapacitetet e mihjes mund të jenë pengesë, për këtë pyetje përgjigjën adekuate duhet ta japë ME. Nëse kemi kapacitete të mjaftueshme të mihjes, nuk ka asgjë të keqe që Kosova të shesë thëngjill me çmime të leverdishme dhe këto të hyra t’i përdorë për të lehtësuar barrën e krizës energjetike në vend.
Ne e dimë që jemi pak hapa larg kur duhet të fillojmë edhe pagesën e taksës për emetimin e karbonit, kur për ne thëngjilli do të bëhet pothuaj i papërballueshëm për shfrytëzim andaj shitja në këtë moment do të ishte vendim i duhur”, kishte thënë Bajrami për Express.
Edhe ish-ministri i Ekonomisë, Haki Shatri, kishte thënë se s’ka kurrfarë pengese për shitjen e thëngjillit nëse ka kërkesa.
Ai kishte përmendur edhe kërkesën që Maqedonia e Veriut e kishte bërë në fund të vitit të kaluar për blerje të linjitit.
“Ka pasë edhe kërkesa nga Maqedonia për blerje te lignitit por asnjëherë nuk e di pse nuk është fillu me shitjen. Ndoshta nuk ka qenë e përgatitun miniera për nxjerrje? Nuk ka kurrëfarë pengese për shitje, nëse ka kerkesa. Tash ish dashtë me i marrë në përgjegjesi ata që e penguan dhe e degraduan realizimin e Projektit “Kosova C” i cili ka qenë i gatshem për fillim të ndërtimit qysh në fillim të 2008”, kishte thënë Shatri.
Kundër kësaj ideje kishte dalur ish-ministri i Energjetikës, Ethem Çeku. Ai kishte një sugjerim tjetër.
“Për bindjen time, momenti më ideal i ka ardh Kosovës në këtë fatkeqësi që po ndodhë mes Ukrainës dhe Rusisë dhe me ndërprerjen dhe ndërhyrjen e Gazpromit dhe përdorimin e energjisë për diplomacinë e vendeve të evropës perëdimore, Kosovës i ka ardh rasti më i mirë për të rikthyer projektin e ndërtimit të blloqeve të reja të energjisë, një projekt që ka qenë i dizajnuar. Kosova mund ta afron tani mundësinë për ndërtimin e termocentraleve të reja, të cilat mund të ndikojnë në zvogëlimin e mungesës së energjisë në tregjet e Evropës dhe njëkohësisht që ta rrit këtë profit. Unë jam për idenë që Qeveria e re Kosoëvs, kjo qeveri duhet ta shtyjë ndërtimin e projektit të termocentralit, që ka qenë Kosova C”, kishte deklaruar Çeku.
Ai propozonte që Qeveria të fillojë menjëherë negociatat me kompanitë e mëdha për t’i ndërtuar termocentralet e reja në vend.
Ish-ministri kishte thënë se pasuritë natyrore duhet të jenë faktor i diplomacisë.
“Tani çmimet në treg të energjisë janë rritur disafish. Lufta Ukrainë-Rusi po bëhet edhe për çështje strategjike, por po bëhet edhe për problemet e energjisë. Faktori themelor në këtë lojë është Gazpromi. E keni parë se sa qeveria gjermane hezitonte të merrte veprime ndaj Rusisë për shkak të ndërlidhshmërisë që e ka ekonomia gjermane. Rrreth 50 përqind e ekonomisë gjermane varet nga gazi rus dhe neve na ka ardh rasti, në këtë fatkeqësi, na ka ardh një hapësirë për me e faktorizu linjitin e Kosovës, që të plasojmë në tregjet e jashtme si produkt final, e jo si lëndë të parë, por si produkt final. Ideja ime që është që Qeveria e Kosovës, kjo qeveri duhet të fillojë negociatat me kompanitë e mëdha, qoftë gjermane apo kompani që shprehin interesim, për t’i ndërtuar termocentralet e reja në Kosovë, që t’i plotësojmë nevojat tona dhe njëkohësisht të dalim në tregjet e jashtme. Dmth. pasuritë natyrore të jenë faktor i diplomacisë së Kosovës”, kishte thënë Çeku.