A po ia ka frikën Qeveria mocionit të opozitës?

08:23 | 01 June 2019

Qeveria nuk po ia ka frikën mocionit të opozitës.

Ndonëse duhen edhe 3 nënshkrime për ta ngritur mocionin e votëbesimit dhe për ta rrëzuar qeverinë “Haradinaj”, deputetët e koalicionit qeverisës nuk po ndihen të rrezikuar nga kjo nismë, sipas tyre opozita nuk do të arrijë t’i mbledhë votat.

Për ta çuar deri në fund këtë iniciativë partitë opozitare theksojnë se nuk do t’i kërkojnë votat e Listës Serbe, por as nuk do t’i kundërshtojnë ato kur mocioni të ngrihet në Kuvend, shkruan sot gazeta “Zëri”.

Ka kohë që partitë opozitare kanë shprehur pakënaqësi me punën e qeverisë “Haradinaj”.

Së fundmi ato kanë vendosur ta marrin edhe hapin final për ta ndalur funksionimin e kësaj qeverie. Me iniciativë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, opozita është bashkuar rreth një qëllimi, ngritjes së mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë aktuale.

Madje deri tani partitë opozitare kanë theksuar se kanë mbledhur 58 nënshkrime të deputetëve të opozitës. Ndonëse votat e Listës Serbe do të mjaftonin që të rrëzohej Qeveria, opozita është shprehur se nuk do t’i kërkojë ato, por as nuk do t’i kundërshtojë nëse do të votojnë pro rrëzimit të Qeverisë në Kuvend.

Komento: