Dy dekada kryetar i AAK-së, a po ia lëshon Ramush Haradinaj postin vëllait të tij?
Periudhës 19 vjeçare të Ramush Haradinajt në krye të AAK-së mund t’i vije fundi së shpejti.
Kjo për arsyen se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, njoftoi dje se po bëhet gati për zgjedhje të reja brenda partisë, shkruan lajmi net.
Zhvillime të papritura në AAK, nisin përgatitjet për zgjedhjet e brendshme
Që nga themelimi i saj, në krye të AAK-së qëndroi gjithmonë vetëm një njeri. Nga viti 2000, Ramush Haradinaj ka ushtruar funksionin e kryetarit të partisë, ani pse për vite me rradhë u përball me drejtësinë ndërkombëtare.
Mirëpo pse po shpallen zgjedhjet e reja në AAK?
Ish-deputetja e këtij subjekti, Teuta Haxhiu, për lajmi.net thotë se gjithçka po imponohet nga rrethanat.
Ajo thotë se partia ka nevojë për zgjedhje të reja, dhe se gjithçka po bëhet me qëllim të rritjes së AAK-së.
“Vendimi është marrë në bazë të rrethanave. Kemi nevojë për zgjedhje të reja, kemi bë një analizë dhe jemi në një proces brenda votuesve tanë, dhe brenda strukturave tona. Konsideroj se ka vlerësu trupa drejtuese e partisë, se do të hyjmë në një proces të nevojshëm politik, gjithçka në interes të rritjes së Aleancës. Jemi në një rrugë ku kemi bërë disa analiza, thjesht jemi në një proces që e ka vlerësu vetë Këshilli Drejtues”, sqaron Haxhiu.
Duke parë kontributin e Ramush Haradinajt për gati dy dekada që ishte në krye të AAK-së, njohësit e çështjeve politike po thonë se ai është i pazëvendësueshëm në parti.
Analisti politik, Shkodran Ramadani, për lajmi.net thotë se AAK është njëra nga partitë, njerëzit e së cilës kanë më së paku pretendime për të udhëhequr me subjektin.
Sipas tij, një situatë më të afërt të ndodhë, vëllau i Ramush Haradinajt, Dauti Haradinaj mund ta marrë timonin e partisë.
“AAK është njëra prej partive me më së paku njerëz të cilët mund të pretendojnë me e udhëheq partinë me sukses, sepse lideri i saj është njeri me pushtet, lavdi ushtarake dhe familje patriotike. Pra është shumë zor me e zëvendësu dikush tjetër pos vëllaut të tij, Daut Haradinaj”, thotë fillimisht Ramadani.
Në AAK, sipas Ramadanit, individi është më i madh se partia, dhe se kjo situatë sipas tij ngjan edhe në Vetëvendosje me Albin Kurtin.
“Pra nuk ka asnjë kandidat tjetër potencial që kish mujt me e menaxhu strukturën e AAK-së. Kjo situatë nuk është vetëm te AAK, është edhe te partia tjetër. Vetëvendosje nuk mundet pa Albinin dhe as AAK pa Ramushin, pra tek këto dy parti lideri është më i madh se partia. Ndërsa tek PDK dhe LDK kemi një situatë ndryshe, ku këto subjekte mund ta ndërrojnë kryetarin dhe të besojnë njëmend se ai është i tillë, për arsyen se në këto dy subjekte partia është më e madhe se lideri. Prandaj AAK e ka shumë vështirë me e gjet dikënd që është zëvendësues i denjë i Haradinajt”, thotë në fund Ramadani.
Në fund, Shkodran Ramadani thotë se edhe nëse Haradinaj tërhiqet formalisht nga posti i kryetarit, ai do të vazhdojë ta ushtrojë këtë funksion, njëlloj sikur shembulli i ish-kreut të PD-së në Shqipëri, Sali Berisha.
Kujtojmë, se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me në krye Ramush Haradinajn doli parti e katërt në zgjedhjet e parakohshme që u mbajtën më 6 tetor.
AAK-së s’i bëri punë as koalicioni me PSD-në, ku si të bashkuar në proces ata morën asnjë më shumë se pak mbi 11 % të votave.