A po na shembët historia? Tri objekte të trashëgimisë kulturore u dogjën gjatë vitit 2023

12:06 | 02 Janar 2024
a-po-na-shembet-historia?-tri-objekte-te-trashegimise-kulturore-u-dogjen-gjate-vitit-2023

Tri objekte të trashëgimisë kulturore janë djegur gjatë vitit 2023 në Kosovë.

Në mars nga zjarri është përfshirë objekti i Shkollës së Parë Shqipe në Ferizaj.  Në gusht është djegur Muzeu i Muzikës në Gjakovë ndërsa një shtëpi në Mitrovicë të Jugut e ndërtuar 300 vite më parë që është konsideruar më e vjetra është djegur më 31 tetor.

Objektet janë djegur në rrethana të panjohura.

Këto tri objekte janë pjesë e listës së trashëgimisë kulturore për mbrojtje të përkohshme në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

 Idrizi: Shtëpia më e vjetër në Mitrovicë nuk është restauruar ende nga djegia, Ministria s’po përgjigjet

Ministria e Kulturës pati njoftuar se kanë filluar punimet në Muzeun e Muzikës në Gjakovë, ndërsa shkolla në Ferizaj është restauruar.

Por restaurimi për shtëpinë më të vjetër në Mitrovicë që është djegur ende s’ka filluar.

Anipse ndihma është kërkuar nga drejtoria për kulturë në këtë komunë tek MKRS.

Që katër muaj po presim përgjigje nga ministria, thotë drejtoresha e Drejtorisë për Kulturë në Mitrovicë të Jugut, Valdete Idrizi

“Nuk kemi pas mundësi që ta restaurojmë këtë shtëpi dhe kemi kërkuar ndihmë por ende s’kemi marr përgjigje nga Ministria e Kulturës që 4 muaj”.

Para se të digjet kjo shtëpi, drejtoria e kulturës në Mitrovicë ka bërë thirrje për ta ruajtur këtë objekt.

Ajo thotë se ka neglizhim në këtë aspekt.

Idrizi ka kërkuar nga institucionet të bëhet punë më shumë për ruajtjen e këtyre objekteve.

“Kur ka filluar një demolim më herët, i kemi dërguar ministrisë  dhe Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore për me i qitë ekipet dhe me i ruajtë pasi kanë qenë në mbrojtje para se me ardh tek djegia e kam bërë thirrje edhe në rrjetet sociale, përgjigje kam marr duke thënë se jemi duke e bërë analizën për të dalë pastaj ndodhi djegia që ke e tmerrshme po neglizhohen këto çështje duhet të bëhet më shumë”, thotë Idrizi.

 Murati: Presim përgjigje pozitive nga Ministria e Kulturës për restaurimin e disa objekteve të vjetra në Ferizaj

Ani pse shkolla e parë shqipe në Ferizaj pas djegies që pësoj në mars tashmë është restauruar po kërkohet që të veprohet njëjtë edhe me objektet tjera.

Do ti dërgojmë disa kërkesa tek MKRS për restaurimin e objekteve, presim përgjigje pozitive-thotë Xhemile Murati, drejtoresh e Kulturës në Ferizaj.

“Shkolla e parë e vjetër është rregulluar nga komuna përmes fondit të BE, pastaj ka ndërmarr veprime edhe ministria e Kulturës. Ne kemi pas kërkesa të veçanta i kemi edhe disa që do ti adresojmë tashë ministrisë së Kulturës për restaurim te disa objekte të vjetra, shpresojmë që do ketë përgjigje pozitive”, tha ajo.

Shoshi: Shteti s’ka politika të duhura për trashëgimi kulturore

Sipas Fondit Kosovar “Trashëgimia Kulturore pa Kufij”, fajin për mos ruajtën dhe restaurimin e objekteve të trashëgimisë kulturore e ka Qeveria.

Drejtori Sali Shoshi nga CHëB thotë se nuk mjafton vetëm restaurimi duhet funksion i ri.

Ai thotë se ju mungon plani për menaxhim objekteve kulturore.

“Politikat e qeverisë janë që nuk e shohin trashëgimin në ndonjë kontekst më të gjerë në mënyrë që këto jo vetëm të restaurohen por edhe t’i shërbejnë komunitetit aty ku ato gjinden ta kenë një funksion të ri. Shpesh intervenimet që bëhen prap kanë nevojë për përkujdesje se mundën sërish me u shkatërru se nuk ka planë se si të menaxhohen pas intervenimit”.

Kjo është mënyra se si duhet të veprojë Qeveria karshi kësaj situate, sipas Shoshit.

“Restaurimi nuk është fundi i procesit por fillimi ku monumenti i kthehet shoqërisë ku aty shfrytëzohet dhe ka njerëz që në baza ditore të mirëmbahen këtë është dashur ta aplikoj qeveria jonë”, theksoi Shoshi.

Ndryshe nga Shoshi i CHëB, nga Organizata Kulturore “7 Arte” kanë qëndrim tjetër.

Në përgjigjen e tyre dhënë Front Online, thonë se në Mitrovicë institucionet janë mjaftë aktive në ruajtën e trashëgimisë kulturore.

Pesë investime janë duke ndodh momentalisht, thonë nga kjo organizatë.

“Institucionet janë mjaftë aktive sa i përket trashëgimisë kulturore. Diku rreth pesë investime janë duke ndodh në trashëgimin kulturore gjë që s’ka ndodh që disa vite. Ka një dinamik të mirë me këtë do të kemi objekte të mbrojtura sipas standardeve që kërkohen dhe të shfrytëzuara nga komuniteti”, thuhet në përgjigje.

 530 mijë persona vizituan Kullat e Jasharajve në Prekaz gjatë 2023-tes

Se monumentet kulturore janë të rëndësishme edhe për qytetarët e thonë edhe statistikat që kanë vizituar Kullat e Jasharajve në Prekaz.

Gjatë vitit 2023, 530 mijë qytetarë kanë vizituar Kullat e Jasharajve.

Këtë e ka bërë të ditur për Front Online drejtori Ekzekutiv në Agjencinë për Menaxhimin e Monumenteve dhe Komplekseve Memoriale, Imer Hakaj.

“Të dhënat sipas kolegëve tonë ciceron, deri më tani janë rreth 530.000.00 (pesëqindetridhejtëmijë) vizitorë”.

Hakaj është shprehur i kënaqur me rëndësinë që u jepet monumenteve dhe komplekseve memorialë.

“Po, jemi të kënaqur sepse edhe tani ne kemi angazhim të vazhdueshëm institucional dhe në çdo mundësi që kemi para vetes, obligohemi t’i përmbahemi saktë qëllimit tonë institucional, për të ruajtur vlerat dhe për të memorizuar luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare, sakrificës së popullit tonë si dhe të gjithë atyre që ranë për liri”, thotë Hakaj për Front Online.

Hakaj nga AMMKM thotë se Kompleksi Memorial”Adem Jashari” mbulon vetëm mirëmbajtën e jo trajtim tjetër.

 “Si AMMKM  lidhur me Kompleksin Memorial “Adem Jashari” ju njoftojmë se mbulojmë shërbimin e mirëmbajtjes që nga viti 2014 dhe se trajtimi i mëtejmë i këtij Kompleksi, është në kuadër të Komitetit Ndërministror për Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, Prekaz – Skenderaj”, ka thënë Hakaj.

 Frashër Demaj: Për tu njohur historia e luftës së Adem Jasharit, institucionet e kanë detyrim ta shndërrojnë Prekazin në atraksion turistik

Se sa po kujdesën institucionet që mos të shembët historia jonë nga monumentet kulturore e trashëgimore për Kullat e Jasharajve për objektet kulturore që janë djegur, ka folur në një rrëfim për Front Online historiani Frashër Demaj.

Demaj thotë se është nderë me u kujdes për Kullat e Jasharajve pasi janë simbole të luftës për liri e pavarësi.

 “Kullat e Jasharajve janë simbole të rezistencës kolektive të shqiptarëve dhe luftës për liri e pavarësi. Ato janë monumente unike që identifikojnë një ngjarje rrallëherë të përsëritshme në historinë shqiptare por edhe më gjerë. Prandaj është në nderin tonë si brez që të tregojmë kujdes të veçantë për ato kulla”.

Për tu njohur historia e luftës së Adem Jasharit institucionet e kanë detyrim ta shndërrojnë Prekazin në atraksion turistik, thotë historiani Demaj.

“Është detyrim i institucioneve të shtetit që përtej kujdesit ndaj tyre, Prekazi dhe Kullat e Jasharajve të shndërrohen në atraksion turistik dhe të vizitohen nga turistë të huaj të cilët përmes monumenteve do të njohin historinë e luftës së Adem Jasharit dhe popullit të Kosovës për liri e pavarësi”, tha ai për Front Online.

Demaj thotë se jo vetëm Prekazin e Kullat e Jasharajve por edhe monumentet e vjetra duhet të ruhen.

“Është në përgjegjësinë e institucioneve shtetërore që përmes atyre profesionale kulturore të ruhen monumentet e rëndësishme të cilat identifikojnë periudha dhe personalitete historike të cilat kanë lënë gjurmë dhe kanë vulosur fatet historike të popullit tonë”, u shpreh ai.

Historiani Demaj tha se gjendja jo e mire e monumenteve historike tregon kujdesin institucional.

“Në rend të parë duhet të themi që ka plot monumente të rëndësishme të paidentifikuara, sidomos ato të periudhës antike dhe mesjetare. Në rast se monumentet kulturo-historike nuk janë në gjendjen më të mire, atëherë konstatohet se ka mungesa të theksuara sa i takon kujdesit institucional ndaj monumenteve kulturore”.

Se duhet të restaurohen monumentet e dëmtuara e thotë edhe Demaj.

“Dëmtimi i monumenteve për arsye të ndryshme nuk nënkupton shkatërrimin e tyre. Ato edhe pas dëmtimeve duhet të restaurohen dhe konservohen në mënyrë që ta ruajnë vlerën e tyre kulturo-historike”, ka përfunduar Demaj për Front Online.

Kosova ka në mbrojtje të përhershme edhe disa objekte të trashëgimisë kulturore, në mesin e tyre: Manastiri i Deçanit, ai i Graçanicës, Patriarkana e Pejës, Kalaja e Prizrenit e Xhamia e Sinan Pashës.

 

Komento: