Kosova ka zbehur raportet me shumë vende.
Mungesa e kultivimit të marrëdhënieve me disa nga vendet që e kanë njohur Kosovën, konsiderohet si një prej faktorëve që po çon në tërheqjen e këtyre njohjeve, thonë njohës të marrëdhënieve ndërkombëtare. Sipas tyre, Kosova duke lënë anash kultivimin e raporteve dhe marrëdhënieve me këto vende, u ka lënë hapësirë veprimi diplomacive nga Rusia dhe Serbia që të bindin disa prej këtyre shteteve që të tërheqin njohjet.
Së fundmi, Ministria e Jashtme e Kosovës ka akuzuar Qeverinë e Serbisë dhe kabinetin e ministrit të Jashtëm serb, Ivica Daçiq për blerjen e tërheqjes së njohjeve të Kosovës.
“Ne jemi thellësisht të shqetësuar që Qeveria serbe ka instaluar korrupsionin dhe ryshfetin si mjete diplomatike për të pranuar dokumente të falsifikuara që nuk shërbejnë asgjë, por vetëm për përshkallëzimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Jashtme të Kosovës. I përfshirë në aferën e siç thuhet ryshfetit për tërheqjen e njohjeve, përmendet këshilltari i ministrit të Jashtëm të Serbisë, Vladimir Cizelj, i cili thuhet se “është i njohur për të kaluarën e tij kriminale dhe lidhjet me rrjetet e krimit të organizuara jashtë Evropës”.
Origjina e fushatës së Serbisë për t’i pakësuar njohjet ndërkombëtare të Kosovës, sipas njohësve të marrëdhënieve ndërkombëtare, ndërlidhet edhe me stagnimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Profesori Gëzim Visoka, i cili është ligjërues në Dublin City University në Irlandë, thotë se Serbia që nga momenti kur e parë se Kosova nuk është në gjendje ta formojë Asociacionin e Komunave Serbe në versionin e Beogradit dhe që kur ishte bindur se as trysnia ndërkombëtare mbi Kosovën nuk po funksiononte më, filloi të hapë një front diplomatik kundër shtetit të Kosovës.
“Në esencë, çnjohja e Kosovës ka të bëjë më fuqizimin e pozicionit negociues të Serbisë dhe zgjerimin e mundësive diplomatike në dëm të Kosovës. Pra, sa më shumë që Kosova do t’i rezistojë një marrëveshjeje që do t’i përshtatej Serbisë, aq më shumë Serbia do të vazhdojë fushatën agresive kundër njohjes së Kosovës dhe anëtarësimit në organizata ndërkombëtare. Prandaj, Kosova nuk duhet injoruar dhe mohuar çështjen e çnjohjeve”, thotë Visoka.
“Në të kundërtën, duhet ta kushtëzojë heqjen e taksës në shkëmbim të ndërprerjes dhe kthimit të çnjohjeje, si dhe largimin e të gjithave barrierave jotarifore që Serbia ia ka vënë Kosovës në dekadën e fundit”, tha ai.
Kurse, zëvendësministri i Jashtëm në dorëheqje në Qeverinë e Kosovës, Anton Berisha, konsideron se mosarritja e një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk ka ndikuar që shtete të caktuar ta vënë në dyshim njohjen e Kosovës. Ai thotë se Serbia po ndikon të shtete të caktuar duke prezantuar jo drejt qëllimin e dialogut.
“Unë mendoj se rrëshqitja e bisedimeve në temat që kanë rrëshqitur, ka krijuar një paqartësi në arenën ndërkombëtare, sidomos në disa shtete që janë jashtë zonave të Evropës. Serbia ka qenë aktive, në kuptimin kinse bisedohet për statusin e Kosovës dhe jo normalizim të raporteve”, tha Berisha.
Por, përveç efekteve të “ryshfetit”, siç e cilëson Qeveria e Kosovës, theksohen edhe dobësi tjera përbrenda diplomacisë kosovare që kanë ndihmuar apo ndikuar te disa vende që të marrin në konsideratë apo edhe të tërheqin njohjen e Kosovës si shtet.
Profesori Gëzim Visoka, tha për Radion Evropa e Lirë se beteja për njohje diplomatike është një fushë që ndërlidhë faktorë të ndryshëm vendorë dhe ndërkombëtarë. Sipas tij, janë disa faktorë që janë duke mundësuar rritjen e çnjohjes së Kosovës.
“Faktori i parë ka të bëjë me lënien anash të fushatës për njohjen nga dy qeveritë e kaluara të Kosovës. Përqendrimi është vënë në disa anëtarësime në organizata ndërkombëtare dhe kultivimi dhe zgjerimi i marrëdhënieve bilaterale me vendet që na kanë njohur, disi është lënë anash. Për më shumë, mungesa e koordinimit ndërmjet institucioneve edhe mungesa e qëndrimeve unike për interesat e brendshme dhe jashtme të Kosovës, ka ndikuar në zbehjen e prezencës ndërkombëtare të Kosovës”, tha Visoka.
Faktori i dytë, sipas tij, ka të bëjë me zbehjen e interesimit dhe fuqisë ndikuese të vendeve, që në terminologjinë politike në Prishtinë, njihen edhe si shtete mike të Kosovës.
“Kosova më nuk është prioritet ndërkombëtar dhe miqve të Kosovës ju ka rënë ndikimi në disa rajone të botës, nga ku çnjohjet janë duke ardhur. Faktori i tretë, i ndërlidhur me këtë të fundit, ka të bëjë me fuqizimin e ndikimit rus, dhe si pasojë, edhe të Serbisë, ku janë duke përdorur diplomacinë personale, ekonomike dhe ushtarake për të shtyrë përpara çnjohjen e Kosovës”, tha Visoka.
Sipas tij, është edhe një faktor tjetër që ka të bëjë edhe me gjendjen në vendet që e kanë njohur Kosovën dhe si pasojë e ndërrimit të qeverive dhe ndryshimit të interesave të tyre ndërkombëtare, këto vende pa hezitim e kanë ndryshuar qëndrimin për Kosovën.
Ndërkohë, zëvendësministri i Jashtëm (në dorëheqje), Anton Berisha, tha për Radion Evropa e Lirë se autoritet në Serbi janë duke e shfrytëzuar gjendjen politike në Kosovës dhe mungesën e një qeverie aktive për të lobuar kundër njohjeve të Kosovës.
“Ne jemi qeveri në dorëheqje edhe ashtu nuk ka pasur ndonjë aktivitet, ndonëse vetë ministri ka qëndruar gjatë në Afrikë, nuk kemi parë ndonjë rezultat dhe presim që sa më parë të mbahen zgjedhjet dhe qeveria e re të jetë aktive, kurse Ministria e Jashtme duhet të kalojë në një fazë ofensive”, tha Berisha.
Zyrtarët në Ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës nuk kanë deklaruar se sa është aktualisht numri i shteteve që e kanë njohur deri tash Kosovën shtet. Por, në ueb faqen ministrit të Jashtëm Behgjet Pacolli, figurojnë 116 shtete të cilat thuhet se kanë njohur Kosovën.