
Një takim i dytë Hoti-Lajçak, a po synon BE-ja udhëheqjen e dialogut nga qeveria?
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka bërë të ditur se nuk ka asgjë për t’u fshehur në lidhje me takimin e 27 qershorit në Shtëpinë e Bardhë.
Më 27 qershor të këtij viti, Kosova dhe Serbia do ta zhvillojnë një takim në Shtëpinë e Bardhë.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, i cili do të jetë edhe përfaqësues i palës kosovare në këtë takim, ka bërë të qartë se nuk ka asgjë për t’u fshehur se çfarë do të diskutohet në këtë takim, raporton lajmi.net.
Në diskutimin e organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) me temën “Cila është platforma e Qeverisë së Kosovës në dialogun me Serbinë?”, Hoti ka bërë të ditur se nesër do të mbajë një takim me partitë politike për t’i informuar nga afër se çfarë pritet të ndodhë në Shtëpinë e Bardhë.
“Nesër do të mbajmë një takim me partitë politike por t’i informuar nga afër për takimin më 27 qershor. Nuk ka asgjë që qeveria duhet të mbajë brenda zyrave e të mos e ndajë me partitë politike dhe shoqërinë civile”, ka deklaruar Hoti ndër të tjerash.
Sipas kryeministrit Hoti, marrëveshja përfundimtare në mes të Kosovës dhe Serbisë, është edhe çështje e sigurisë së tërë Evropës dhe jo vetëm Ballkanit Perëndimor, pasi që sipas tij, nëse arrihet marrëveshja e paqes dhe njohja nga ana e Serbisë do të mund ta ndalte edhe ndikimin e Lindjes.
Tutje, Hoti i bëri thirrje opozitës që të përfshihet në këtë dialog, të jetë më prezente pasi siç theksoi ai, kjo do ta fuqizonte edhe më tepër ndikimin e Kosovës në këtë dialog.
Kryeministri Hoti, po ashtu bëri të ditur se nesër do të takohet me Mirosllav Lajçakun, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë.
Sipas tij, ky do të jetë një takim punues ku do të qartësohen të gjitha temat dhe gjërat që do të diskutohen në dialog.
“Vizita e djeshme e Lajcakut në Prishtinë është aranzhuar në dakordim me ne. Menjëherë pas marrjes së mandatit kam aranzhuar një takim me të, një vizitë. Sipas agjendës ai do të takohet me të gjithë liderët. Në fund të vizitës do të takohem me të e do të shpalosim çdo gjë. Në fund të vizitës do ta kemi një takim punues ku qartësohet se si do të ecet tutje në këtë proces”, theksoi Hoti.