A po tërhiqet Behgjet Pacolli nga gara për deputet dhe a po zëvendësohet nga vëllai i tij, Selim Pacolli?

13:08 | 02 Dhjetor 2024
a-po-terhiqet-behgjet-pacolli-nga-gara-per-deputet-dhe-a-po-zevendesohet-nga-vellai-i-tij,-selim-pacolli?

Behgjet Pacolli me shumë gjasë do të tërhiqet nga gara për deputet për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 dhe në vend të tij pritet të jetë vëllai, Selim Pacolli. Kështu bëjnë të ditur burimet e portalit Front Online.

Partia e Pacollit (AKR) javë më parë ka arritur marrëveshje për koalicion me Listën “Familja” të deputetit Eman Rrahmanit dhe me Partinë e Drejtësisë të Ferid Aganit, por në ditën kur ishte mbajtur konferenca e këtyre tri subjekteve politike nuk kishte qenë i pranishëm edhe presidenti i AKR-së, Behgjet Pacolli.

Front Online ka tentuar gjatë ditës së sotme të marrë përgjigje për këtë çështje edhe nga Behgjet Pacolli, por ky i fundit nuk është përgjigjur. Ndërsa Selim Pacolli, i cili është i vëllai i Behgjetit, ka konfirmuar për Front Online se do të jetë në garë për deputet të Kuvendit të Kosovës.

FrontOnline mëson se Selim Pacolli pritet të jetë i dyti në listë për deputet.

‘’Nuk do të jem unë bartës i listës, por do të jetë një para-marrëveshje, për koalicion, për bashkëqeverisje, mes Eman Rrahmanit, Ferid Aganit’’ thotë ai.

Pacolli, për FrontOnline thotë se ka marrëveshje mes tyre, por e cila akoma nuk është finalizuar.

‘’Ka marrëveshje e cila akoma nuk është e finalizuar’’ thotë ai.

I pyetur se nëse kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli, do të tërhiqet nga gara në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, Selim Pacolli për FrontOnline thotë se akoma nuk e di një gjë të tillë, por nëse kjo ndodhë, sipas tij, kjo shënon edhe mbylljen e rrugëtimit politik të Behgjet Pacollit.

‘’A do tërhiqet Behgjet Pacolli nga gara apo jo, nuk e di. Nëse ai tërhiqet nga gara, ai e mbyllë rrugëtimin politik, por për këtë pyetne z.Pacolli’’ shprehet ai.

Pacolli, potencon se ai do të jetë kandidat për deputet, pavarësisht zhvillimeve brenda koalicionit.

‘’Unë do të jem në garë, me kapacitetet e mia, si delegat i Prishtinës por nuk e zëvendësoj askënd’’ u shpreh ai për FrontOnline.

Përndryshe, Selim Pacolli ka qenë nënkryetar i Komunës së Prishtinës gjatë mandatit të Shpend Ahmetit në krye të kryeqytetit të Kosovës.

/FrontOnline/

Komento: