A rrezikohet sërish Kosova nga një sulm eventual nga Serbia? Deputeti i VV-së: Nëse nisen, e marrin përgjigjen e duhur

18:00 | 02 Korrik 2024
a-rrezikohet-serish-kosova-nga-nje-sulm-eventual-nga-serbia?-deputeti-i-vv-se:-nese-nisen,-e-marrin-pergjigjen-e-duhur

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, dje në një konferencë për media ka folur për “veprimet destabilizuese të Serbisë” në vend.

Konjufca tha se institucionet e vendit kanë “informacione të sakta” se “një grup prej qindra personash” në Serbi janë duke u përgatitur për një sulm eventual në Kosovë.

“Dhe derisa ne po flasim këtu, institucionet tona kanë informacione të sakta se një grup prej qindra personash sërish po e bëjnë të njëjtën gjë në Serbi, po ushtrojnë po përgatiten për ndonjë sulm eventual që mund ta përjetojmë”, tha ai.

Rexhaj i VV-së: Serbia po ushtron ish- gjeneralët e ushtarakët për sulm ndaj Kosovës, por do ta gjejnë përgjigjen

Arbër Rexha i Lëvizjes “Vetëvendosje” thotë se deklarata e kryeparlamentarit Konjufca se në Serbi po përgatiten për sulm në Kosovë është e bazuar në deklaratën e drejtorit të Policisë dhe akterëve relevant.

“Deklarata e Konjufcës është pasuese sepse paraprakisht një deklaratë e tillë e ka dhënë edhe drejtori i Policisë së Kosovës, ku ai flet për një rrezik eventual i cili mund të vijë drejtpërdrejtë prej strukturave kriminale për të cilat po ushtrohen në veri. Poashtu një deklaratë të tillë e ka dhënë edhe kryeministri dhe akterët relevant të vendit”, tha ai.

Rexhaj, thotë se Serbia me ndërtimin e bazave të saj në kufi me Kosovën, përbën rrezik, duke thënë se strukturat kriminale dhe mafioze të saj, të cilat ushtrojnë nëpër bazat ushtarake, marrin paga dhe kjo paraqet rrezik për Kosovën.

”Duke e parë Serbinë që ka me dhjetëra baza ushtarake në kufi me Kosovën, e së fundmi e ka ndërtuar edhe një, besoj që kjo përbënë njëfarë rreziku e që Serbia pra nuk besoj që kot në pistat ushtarake ushtron ish -gjeneralët dhe ushtarakët që kanë dalë në pension, strukturat kriminale e mafioze të cilët ushtrojnë nëpër bazat e tyre dhe marrin pagë dhe natyrisht besoj që kjo është një rrezik eventual i cili i kanoset Kosovës, sepse nuk besoj që ato ushtrime bëhen kot”, deklaroi deputeti i VV-së.

Deputeti i VV-së thotë se nëse Serbia ndërmerr veprime të tilla, ajo do ta gjejë përgjigjen siç e kishte gjetur nga forcat e sigurisë së Kosovës.

”Në këtë rast, besoj që për çdo veprim që do të ndërmarrë Serbia përpos këtyre akterëve kriminal do ta gjejnë përgjigjen ashtu siç e kanë gjetur nga Forcat tona të Sigurisë”, shprehet Rexhaj.

Berisha i PDK-së: Informacioni i Konjufcës se do të ketë sulm nga ushtarët serb në Kosovë është shqetësues

Hisen Berisha nga PDK thotë për “Front Online” se deklarata e kryeparlamentarit Konjufca që në Serbi po përgatiten për sulm ose provokim eventual në Kosovë, është mjaftë shqetësuese.

Sipas deputetit të PDK-së, plasimi i një informacioni të tillë bëhet nga njëri prej tre akterëve kryesor të shtetit, ku kanë informatën e drejtpërdrejtë nga mekanizmat e vendit.

“Ne si Komision nesër do të mblidhemi, kështuqë nuk ka pasur ndonjë thirrje urgjente për të debatuar një temë të tillë. E dyta, një informacion i tillë është shqetësues të plasohet nga kryetari i Kuvendit, sepse konsiderohet ndër tre personalitetet kryesore që duhet ta kenë informatën e drejtpërdrejtë nga mekanizmat e sigurisë së vendit”, tha ai.

Ndonëse Berisha nuk mendon që një gjë e tillë mund të ndodhë, që serbët mund të sulmojnë në Kosovë.

“Ajo që unë mendoj, sado që në Serbi mund të ketë të tilla lëvizje, përgatitje, stërvitje etj.., nuk besoj se kanë mundësi të sulmojnë në Kosovë nëqoftëse këtu ka një KFOR, një forcë të Kosovës të anëtarësuar nga NATO-ja e cila me rezolutë ndërkombëtare ka mandatin e garantimit edhe të sigurisë së vendit”, tha Berisha.

Elezi: Janë 700 persona që po trajnohen ushtarakisht në Serbi, paguhen 1500-5000 euro për sulme në Kosovë

Njohësi i Çështjeve të Sigurisë, Bedri Elezi, për FrontOnline, thotë se janë 700 persona që po trajtohen ushtarakisht nga Serbia, dhe këta mund të kryejnë sulme terroriste në Kosovë.

‘’Kryetari Konjufca e deklaron gjithë atë që kemi thënë ne me parë. Ju e dini që jemi të parët që kemi treguar se janë dy baza të Serbisë afër territorit të Kosovës, afër Veriut të Mitrovicës, por besohet se janë 700 persona që trajnohen ushtarakisht’’, thotë ai.

Elezi, deklaron se këta persona janë kryesisht nga shtetet fqinj të Kosovës, por edhe nga vetë Kosova dhe se i përkasin kombësisë serbe e po ashtu paguhen për trajnim prej 1500 deri në 5000 euro.

‘’Këta persona janë kryesisht nga Kosova, Bosnja, Serbia, Mali Zi dhe Maqedonia, janë serbë që mënyrë vullnetare dhe me një pagesë prej 1500-5000 euro kryejnë trajnime ushtarake dhe që më pas vijnë në territorin e Kosovës, kryesisht në Veriun e Kosovës’’, potencon ai.

Elezi, po ashtu thotë se këta person Serbia i përdor për sulme në Kosovë, ngase direkt nuk ka guxim të përballet as me Kosovën, sepse sigurinë në vend e garanton Rezoluta 1244 dhe prezenca e KFOR-it.

‘’Ne e dijmë që Serbia e ka të pamundur që të luftoj me Kosovës, sepse sipas Rezolutës 1244, e garanton NATO përmes KFOR-it sigurinë në Kosovë dhe Serbia nuk është e gatshme të ketë ballafaqim direkt me ta dhe për këtë përdor grupe dhe persona të ndryshëm, të cilat edhe ashtu janë duke u përgatitur ushtarakisht dhe të njëjtat mund të hynë në Kosovë dhe të kryejnë sulme terroriste si në Banjska’’ shprehet ai për FrontOnline.

Komento: