Këtë të enjte në Bruksel janë mbledhur liderët e të gjitha vendeve anëtare të Bashkimit Evropian
për të diskutuar rreth ndarjes së posteve udhëheqëse të Bashkimit Evropian. Por ky samit ka vënë në dukje përçarjen e kancelarisë gjermane dhe presidencës franceze. Kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidenti francez, Emmanuel Macron nuk po pajtohen se kush duhet ta zëvendësojë Jean-Claude Juncker, presidentin e Komisionit Evropian.
Më shumë se një muaj pasi që u mbajtën zgjedhjet për Parlament Evropian, duket se shenjat janë të vogla që të ketë pajtueshmëri mes grupeve parlamentare. E kjo mos pajtueshmëri ka vënë në dukje edhe përçarjen e udhëheqësve gjerman dhe atyre francez.
Merkel ka shprehur publikisht mbështetjen për teknokratin e qendrës së djathtë, Manfred Weber, i cili është anëtar i Partive Popullore Evropiane me origjinë gjermane.
Në anën tjetër, Macron, partia e së cilit është pjesë e grupit të Liberal-Demokratëve, ka shprehur se ata e mbështesin kandidatë të tjerë, duke përfshirë këtu edhe kandidatin e qendrës së majtë, Frans Timmermans, kryenegociatorin e Brexit, Michael Barnier ose Komisionaren e Konkurrencës, Margarethe Vestager.
Në vitet e kaluara, dy partitë më të mëdha EPP-ja dhe Social-Demokratët kanë vendosur për postet kryesore në Bashkim Evropian, por kësaj here këto dy parti nuk arritën që ta formonin shumicën.
Kësaj here, këto të dy parti të mëdha kanë nevojë edhe për një parti e cila është pak më e vogël. Liberal-Demokratët kanë arritur të fitojnë 106 ulëse në parlament, e që një koalicion me këtë grup parlamentar, do t’i jepte qëndrueshmëri parlamentit.
Gjithsesi, Liberal-Demokratët kanë premtuar politika të cilat dallojnë shumë në krahasim me dy partitë e mëdha, dhe se kushti i tyre është reforma të thella në bllok.