A u takua Agim Veliu me Sami Lushtakun? Flet nënkryetari i LDK-së

16:59 | 23 Korrik 2019

Agim Veliu tregon a është takuar me Sami Lushtakun.

Në media sot është raportuar se në prag të zgjedhjeve të brendshme në Lidhjen Demokratike të Kosovës, kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu ka zhvilluar një takim sekret me ish kryetarin e Komunës së Skenderajt, Sami Lushtakun.

Por lajmi sipas Veliut është një gënjeshtër e madhe që po bëhet vetëm për të dëmtuar procesin zgjedhor në LDK.

Veliu në një prononcim për Indeksonline ka thënë se kurrë në jetën e tij nuk është takuar me Sami Lushtakun.

“Kurrë në jetën time me Sami Lushtakun nuk jam taku, as nuk kam pirë kafe. Është sigurisht një fushatë e ndryrë e atyre që po e bëjnë për ta dëmtuar procesin e zgjedhjeve në LDK”, ka thënë Agim Veliu, emri i të cilit së fundi është lakuar edhe si mundësi për të ardhur në krye të LDK-së me 3 gusht kur kjo parti ka zgjedhjet e brendshme për kryetar.

Veliu ndër të tjera ka thënë se sot gjatë gjithë ditës ka qenë në zyre në takim me palë, me qytetarë deri në 12 e 15, pastaj në drekë me nënkryetarin dhe me kryesuesin e kuvendit, prej drekës thotë se është kthyer sërish në ndërtesën e komunës deri pas orës 16:00.

“U raportua rrejshëm që kam qenë në restorant ‘Nobel’ në Podujevë. Unë asnjë lëvizje në atë restorant nuk e kam bërë, madje ka vite që nuk kam qenë në atë restorant, prandaj kjo është një rren e kulluar e atyre që nuk ia duan të mirën vendit e as LDK-së”, ka thënë Veliu.

Komento: