A u vulos sot dështimi i koalicionit mes VV-së dhe LDK-së? – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

A u vulos sot dështimi i koalicionit mes VV-së dhe LDK-së?

20:27 | 26 Dhjetor 2019

Nuk është arritur marrëveshja mes VV-së dhe LDK-së.

Sot është mbajtur seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës ku 111 deputetë kanë bërë betimin e tyre dhe është zgjedhur kryesia e Kuvendit të Kosovës.

Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje do të jetë Kryetar i Kuvendit të Kosovës, ndërsa, Kujtim Shala, Arbërie Nagavci dhe Memli Krasniqi do të jenë nënkryetarë të Kuvendit.

Konjufca është zgjedhur kryetar i Kuvendit të Kosovës me 75 vota për, 27 kundër dhe 6 abstenime.

Pozita e Kryetarit të Kuvendit sipas marrëveshjes parimore të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për koalicion qeverisës i ka takuar kësaj të fundit.

Marrëveshja mes dy partive ka dështuar deri më tani për arsye se nuk kanë arritur konsensus për ndarjen e posteve shtetërore në bashkëqeverisje.

Por, a do të ndikoj edhe më negativisht zgjedhja e Glauk Konjufcës në këtë pozitë?

Analisti dhe njohësi i çështjeve politike, Naim Rashiti për lajmi.net është shprehur se kjo nuk është shumë problematike.

“Jo, vetëm Kuvendi është konstituar, organet janë zgjedhur, kryetari dhe nënkryetarët çfarë ndodh në marrëveshjen midis dy partive është tjetër temë. Votimi i sotëm i ka bërë deputetët të sillen në frymë Kushtetuese dhe tash hap rrugë për procedurën e re”, tha Rashiti për lajmi.net.

Më tutje, Rashiti është shprehur se Lidhja Demokratike e Kosovës do të kërkojë më shumë ndarje të pushteteve pas kësaj.

“Nuk e besoj, LDK-ja ndoshta ka provuar të tregojë seriozitetin e saj për institucionet dhe e ka vendosur në pozitë më të vështirë VV-në tash sepse mund të kërkojnë më shumë ndarje të pushtetit tash, sigurisht do të insistojnë në postin e Presidentit dhe ministrinë e Brendshme por kjo mbetet pjesë e negociatave dhe nuk mendoj se do të ketë komplikim të madh”, tha Rashiti për lajmi.net.

Seanca e parë e legjislaturës së shtatë të Kuvendit të Kosovës ka përfunduar ndërsa nuk dihet se kur do të mbahet seanca tjetër e Kuvendit.

Komento: