AAK-ja i kërkon falje partisë opozitare

15:25 | 23 Janar 2019

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës i ka kërkuar falje Lidhjes Demokratike të Kosovës për deklaratat që Bekë Berisha, deputeti i kësaj partie ka bërë kundrejt Isa Mustafës në një televizion.

Në një komunikatë dërguar mediave, nga AAK-ja kanë shkruar se besojnë që gjuha që ka përdorur deputeti ka qenë e paqëllimshme.

“AAK, i kërkon falje ish-kryeministrit Mustafa dhe LDK-së për gjuhën e përdorur nga deputeti Bekë Berisha. Besojmë se mënyra se si është shprehur deputeti Berisha ka qenë e paqëllimtë”, thuhet në komunikatë.

Gjithashtu, sipas AAK-së, partia e tyre është e përcaktuar për një gjuhë të kujdesshme në diskursin publik.

Për deklaratat e Bekë Berishës në emisionin DPT te Fidani në T7 reagoi gjatë ditës edhe Lidhja Demokratike e Kosovës.
Në një komunikatë drejtuar mediave, nga LDK-ja kanë shkruar se Berisha e ka shpallur të vdekur Mustafën.

“Duhet ta marrim seriozisht faktin që një deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, i partisë së Kryeministrit, e shpall dhe kërcënon për xhenaze vertikale politike, kryetarin e partisë më të madhe në vend, LDK-së, e cila është në opozitë.
Problemi nuk qëndron se në Kosovë kemi individ me mendësi të prodhuesve të kufomave, por është trishtuese që një i tillë është i propozuar nga AAK dhe ka marrë mandatin e përfaqësuesit të popullit në Kuvendin e Kosovës”, shkruhet në komunikatë.

Këto deklarata nga LDK-ja i kanë cilësuar si kërcënime ndaj Isa Mustafës, ndërkaq, kanë shkruar se LDK-ja dhe Kosova kanë përjetuar mjaftueshëm xhenaze për arsye politike.

“LDK-ja konsideron se deputeti nuk ka imunitet të shpallë dhe kërcënojë kryetarin e LDK-së si të vdekur, për faktin se ai e konsideron kundërshtar politik.

LDK-ja dhe Kosova kanë përjetuar mjaft xhenaze për arsye politike nga dora e njerëzve me mendësi dhe vepra kriminale. Të tillët nuk e kanë vendin në Kuvendin e Kosovës, si të përzgjedhur të partive politike, por e kanë vendin para ligjit, duke dhënë përgjegjësi për shpalljet e kërcënimet e tyre kriminale.”

Mbrëmë në emisionin DPT te Fidani në T7, deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bekë Berisha, ka sulmuar ashpër kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.

Berisha ka thënë në emisionin “DPT Te Fidani”, në televizionin T7, se “Isa Mustafa është një xhenaze vertikale politike”.

“As hair, e as dëm s’mund të bëjë”, është shprehur më tej Berisha.

Ai ka thënë se Mustafa nuk ka të drejtë të kritikojë qeverisjen e Ramush Haradinajt, duke vlerësuar se Kosova nuk ia ka parë aspak hairin qeverisjes së Mustafës në vend.

Komento: