Nga secila parti po kërkohet caktimi i datës së zgjedhjeve.
Besnik Tahiri i AAK’së ka kërkuar të caktohet data e zgjedhjeve nacionale.
Ka kërkuar nga Presidenti të nisë konsultimet me partitë politike për t’u dakorduar për ditën se kur do të votohet.
Sekretari i AAK’së ka thënë se kanë raporte te mira me NISMA’n dhe PSD’në por në zgjedhje do të shkojnë pa koalicione parazgjedhore.
Ramush Haradinaj përpos që dha dorëheqje dhe u largua nga bashkëqevesja me PDK’në s’do të ketë më koalicion parazgjedhor me Partinë e Kadri Veselit. S’do të lidhë koalicion as me NISMA’n dhe as me PSD’në e Shpend Ahmetit.
Këtë qëndrim e ka dhënë Sekretari i Përgjithshëm i AAK’së, Besnik Tahiri, i cili ka thënë se Presidenti Hashim Thaçi duhet të shpallë datën e zgjedhjeve pasi t’i zhvillojë shpejt konsultimet me partitë politike.
“Presim që Presidenti Thaçi të nis konsultimet me parti dhe sa më shpejt të shpall zgjedhjet për të evituar vakum të mundshëm institucional. Ashtu siç e ka potencu edhe kryeministri Haradinaj, është me rëndësi që mandatin që tani e ka populli të ushtrohet nga sovrani sa më shpejt që është e mundur”, ka thënë Tahiri, për Express, të dielën.
Ramush Haradinaj dha dorëheqje të premten pasi i erdhi ftesa nga Gjykata Speciale. Tha se duhet të shpallen zgjedhjet e jashtëzakonshme.
Kadri Veslei tha të shtunën mbrëma se vendi do të shkojë në zgjedhje derisa për vendimin e Haradinajt për dorëheqje tha se është personal. Madje, tha se Haradinaj as që e konsultoi për largim nga Qeveria.
Edhe Fatmir Limaj ka kërkuar zgjedhje të jashtëzakonshme pasi Haradinaj u largua nga Qeveria.
Sidoqoftë, Besnik Tahiri, thotë se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të garojë në zgjedhje pa koalicione parazgjedhore.
“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në zgjedhje synon të garojë vet dhe t’i fitojë zgjedhjet parlamentare. Si subjekt politik dhe si strukturë organizative politike asnjëherë nuk kemi qenë më të fortë dhe të konsoliduar. Ne kemi marrëdhënie të mira politike me PSD, NISMA dhe AKR. Bashkëpunimi ka qenë korrekt dhe partneriteti politik në nivel kolegial”, ka shtuar Besnik Tahiri.
Haradinaj dha dorëheqje pasi tha se i erdhi ftesa nga Gjykata Speciale, e cila është krijuar për t’i ndjekur ish-udhëheqësit e UÇK’së të dyshuar se kanë kryer krime lufte.
Kohëve të fundit, lideri i AAK’së prishi raportet me Liderin e PDK’së, Kadri Veselin, i cili nga Ëashingtoni tha se Kryeministri i Kosovës po flet me Amerikën sikur me Serbinë. Haradinaj tha se një deklaratë e tillë është servilizëm politik.
Udhëheqësi i partisë së pestë në Kosovë mbeti i vetëm në luftën për të mbrojtur taksën e vendosur kundër Serbisë. Ndërsa, ishte kundër prekjes së kufijve, një temë kjo e përkrahur nga Hashim Thaçi.
Haradinaj ka kërkuar të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme dhe t’i kthehet vendimmarrja popullit. PDK ka mbetur e hutuar nga ky vendim. LDK e Vetëvendosje kanë kërkuar zgjedhje të jashtëzakonshme sikurse edhe PSD e NISMA e Fatmir Limajt.
Presidenti pritet gjatë ditëve të thërras partitë politike për t’u konsultuar për dy opsionet: themelimin e një Qeverie të re ose shkuarjen në zgjedhje.
Praktikisht, ekziston vetëm një opsion pasi askush s’ka numra për të ndërtuar Qeverinë e re, pasi askush s’mund të llogarisë as në votat e Listës Srpska, e cila ka braktisur koalicionin prej vitit të kaluar kur u vendos taksa 100 për qind ndaj produkteve serbe.
Qeveria e Ramush Haradinaj prej kur vendosi taksën mbeti Qeveri e pakicës e mbështetur për disa vendime nga PSD e Shpend Ahmetit.
Ish-Komandanti i UÇK’së për Zonën e Dukagjinit është Kryeministri i gjashtë i Kosovës pas Bajram Rexhepit, Bajram Kosumit, Agim Çekut, Hashim Thaçit e Isa Mustafës.
Ish-Kryeministri Haradinaj kishte udhëhequr Qeverinë e Kosovës edhe një herë për 100 ditë kur ishte detyruar të jepte dorëheqje në mars të vitit 2005 për të shkuar në Tribunalin e Hagës si i akuzuar për krime lufte. Atje ishte shpallur dy herë i pafajshëm.
Asnjëri prej Shefave të Qeverisë prej pasluftës s’e ka përfunduar mandatin kushtetues.
Prej pasluftës janë mbajtur gjashtë palë zgjedhje nacionale.