Auditimi i nxjerr partitë shqiptare keq, më së keqi AAK-në.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) është listuar më së keqi në transparencën financiare, krahasuar me partitë e tjera shqiptare.
Ky vlerësim është përfshirë në Raportin e Auditimit që u është bërë raporteve dhe deklarimeve financiare të partive politike gjatë dy palë zgjedhjeve të vitit 2017, shkruan sot “Koha Ditore”. Bazuar në Raport, dy partitë politike më transparente nuk janë në mesin e partive shqiptare, por në atë të komunitetit serb – Lista Serbe dhe SLS-ja.
Raporti i Auditimit është shqyrtuar të premten në mbledhjen e Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike. Para deputetëve kanë raportuar përfaqësues të kompanisë “Audit & Konto”, e cila është e angazhuar për auditimin e raporteve financiare të partive politike në Kosovë për vitin 2017.
Drejtori i kësaj kompanie, Ymer Shatri, ka përmendur një mori gjetjesh pas përfundimit të këtij procesi. Ai ka thënë se në përgjithësi auditimin po e kryejnë nën presione të ndryshme. Madje, deri në atë shkallë sa edhe “janë sharë nga parti të caktuara politike”.