AAK propozoi front të përbashkët opozitar kundër Kurtit, i përgjigjen nga pozita e opozita

09:33 | 17 Mars 2024
aak-propozoi-front-te-perbashket-opozitar-kunder-kurtit,-i-pergjigjen-nga-pozita-e-opozita

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka thënë se do të ishte mirë që në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të garonte fronti i përbashkët opozitar kundër Vetëvendosjes.

“Jemi për një front të përbashkët opozitar. Do të ishte përgjigja më e madhe. Ka hezitim, pasi PAN-i si koncept ka qenë goxha problematik dhe s’ka prodhuar votë të madhe. Më 2017, PAN-i i ka pasur 39 deputetë. Mirë do të ishte sepse do të matej opozita dhe VV-ja në anën tjetër”, ka thënë ai.

Kësaj ideje të Tahirit, iu kundërpërgjigjen pozitë e opozitë.

Rrustemi i VV-së i reagon Tahirit: Kosova ka nevojë për front kundër Serbisë, e jo kundër kryeministrit

Deputeti nga partia në pushtet, Adnan Rrustemi në një prononcim për Front Online tha se Kosova nuk ka nevojë për front kundër kryeministrit, por kundër Serbisë.

“Kosova ka nevojë për front të përbashkët kundër Serbisë e për sovranitet, e jo për front kundër Kryeministrit pse po i bënë ballë suksesshëm Serbisë”, u shpreh ai.

Rrustemi thotë që sa më shumë që po shtrihet sovraniteti në territorin e Republikës, aq më agresive po bëhet opozita.

“Megjithatë, sa më shumë po i rezistohet përpjekjeve destabilizuese të Serbisë dhe sa më shumë shtrirjes së sovranitetit të Kosovës në tërë territorin e Republikës, aq më agresive opozita”, u shpreh ai për Front Online.

Rrustemi thotë që partitë opozitare po bëjnë garë për të nxënë vendin e dytë.

“Ky është veç mandati i parë, kurse opozita po bënë garë të ashpër brenda tyre për vendin e dytë dhe të fundit”, deklaroi ai.

Beqa i përgjigjet Tahirit: PDK bën front me qytetarët, qeveria ka ardhur në pushtet me mashtrime

 Për frontin e përbashkët opozitar kundër Vetëvendosjes që propozoi Besnik Tahiri i AKK-së, kanë reaguar nga Partia Demokratike e Kosovës.

Deputeti Hajdar Beqa tha për Front Online se frontin në zgjedhjet e ardhshme do ta kenë vetëm me qytetarët.

Ai pati edhe kritika për Vetëvendosjen, duke thënë se ka ardhur në pushtet me mashtrime.

“Partia Demokratike ka marr vendim dhe konsideron që sa më shpejt që shkojmë në zgjedhje është në interes të qytetarëve dhe më i vogël po bëhet nga kjo keqqeverisje që po e bën një kryeministër që fatkeqësisht me kauza të mashtrimit ka ardh në pushtet. Ne si PDK do ta bëjmë një front me qytetarët e Republikës së Kosovës dhe që në zgjedhjet e ardhshme pretendojmë që të dalim partia e pare”, ka thënë ai për Front Online.

Deputeti i PDK-së: Kurti e ka kryer mandatin me faqe të zezë, ai nuk e njeh as Kushtetutën

Deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa për Front Online ka thënë se Albin Kurti e ka përfunduar mandatin pa asnjë sukses.

Sipas tij, kryeministri nuk e njeh shtetin e Kosovës.

“Jam shumë i sigurt që z.Kurti e ka kryer me kryeministër, dhe e ka kryer me faqe të zezë siç thotë populli, pa asnjë sukses. Vetëm dëm i ka bërë Republikës së Kosovës sepse është i vetmi kryeministër që udhëheqë një vend që nuk ka sjell asnjë njohje, por ky fatkeqësisht as vet se njeh as republikën, s’e njeh as Kushtetutën, as simbolet, përveç beneficionit që ia ka jep pozita e kryeministrit”, deklaroi ai.

Anton Quni: Synojmë të dalim partia e parë në zgjedhje

As LDK nuk është për front të përbashkët opozitar me AAK-në.

Deputeti i kësaj partie, Anton Quni për Front Online tha se objektiv si parti e kanë të fitojnë besimin e qytetarëve.

Ai thotë se synojnë të dalim partia e parë në zgjedhjet.

“Në objektivat e LDK-së për të ardhmen është që të fitoj besimin e qytetarëve. Ne synojmë të dalim partia e parë në zgjedhjet e radhës dhe ju siguroj se çdo ditë jemi më afër synimit tonë”, u shpreh ai për Front Online.

AAK-ja tashmë ka marrëveshje koalicioni me Nismën Socialdemokrate dhe disa parti të tjera.

Lëvizja Vetëvendosje është në vitin e fundit të mandatit e cila nga viti 2021 udhëheq si e vetme pasi në zgjedhjet e fundit parlamentare fitoi mbi 50 për qind të votave.

Komento: