Përleshjet në LDK janë bërë shumë të shpeshta kohëve të fundit.
Partia e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj përmes një komunikate për media ka reaguar për zhvillimet e fundit në procesin e zgjedhjeve të brendshme në LDK.
Nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë bërë të ditur se respektojnë procesin e brendshëm zgjedhor dhe e konsiderojnë si cështje të brendshme të saj, por, duke shtuar se është në interesin e demokracisë në vend që të ketë një proces të shëndoshë zgjedhor në të gjitha partitë politike.
“Nuk mundemi të mos vërejmë se përplasjet e brendshme në LDK dhe përpjekjet e grupeve të caktuara për të marrë kontrollin e partisë, ndonjëherë duke degjeneruar edhe në përplasje fizike, janë shëmtuese për vet LDK-në. Për më tepër përpjekjet për të implikuar AAK-në në këto incidente janë shpifje dhe përpjekje për të mbuluar defektet e brendshme të LDK-së”, shkruhet në komunikatë.
Sipas AAK-së, personi i pëmendur si i implikuar në Kuvendin Zgjedhor të Degës së LDK-së në Mat, nuk është anëtar i AAK-së.
“Ne si parti i kemi punët tona dhe pos respektimit të zgjedhjeve të brendshme në LDK, nuk kemi asnjë interes tjetër”, përfundon njoftimi.