AAK reagon për shkarkimin e Dakës: Osmani po e dëshmon kapjen e shtetit

17:29 | 14 Qershor 2021

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka reaguar pas shkarkimit të Valdete Dakës nga pozita e kryetares së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Në reagimin e AAK-së thuhet se Presidentja Vjosa Osmani me shkarkimin e Dakës po tregon një praktikë të paparë institucionale dhe sipas kësaj partie, kjo dëshmon kapjen e shtetit.

“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës konsideron se shkarkimi i Kryetares së Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), znj. Valdete Daka, nga Presidentja Osmani, është praktikë e paparë institucionale dhe dëshmon për të satën herë kapjen e shtetit. Sulmi në institucionet e menaxhimit të zgjedhjeve, është tregues i tentimit për vendosjen e autokracisë, fenomen për të cilin Aleanca ka tërhequr vërejtjen shumë kohë më parë”, thuhet në reagimin e AAK-së.

Tutje, AAK thotë se arsyetimet e Presidentes për shkarkimin e kryetares së KQZ-së janë të pasakta.

“Arsyetimet e dhëna për shkarkimin e znj. Daka janë të pasakta, sepse para shkarkimit i është kërkuar dorëheqja në këmbim të mirënjohjes. Ky është tregues i qartë i mënyrës së qeverisjes qe po tentohet të instalohet në vendin tonë. I bëjmë thirrje qeverisë së Republikës së Kosovës që të ndalojë përpjekjet për kapjen e shtetit dhe arrogancën e numrave”, thuhet në reagim.

Komento: