Abazi thotë se dje u bëmë bashkë për qëllimin e madh për të cilin luftuam, për Republikën

09:54 | 18 February 2020

Albin Kurti dhe Vjosa Osmani në 12 vjetorin e pavarësisë janë parë se bashku në çdo aktivitet.

Zëvendëskryeministri i Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, ka folur për gjithçka çfarë ndodhi në 12-të përvjetorin e pavarësisë.

Gjatë ditës së djeshme Kosova festoi 12-vjetorin e Pavarësisë, e padyshim që lajm kryesor ishte edhe homazhet që Albin Kurti i bëri te varri i Ibrahim Rugovës, kjo pasi që Kurti deri dje nuk e kishte vizituar asnjëherë varrin e ish-presidentit historik të vendit.

Por, është zëvendëskrueminsitri i Kosovës, Haki Abazi, ai i cili ka reaguar dhe ka sqaruar se çfarë ka ndodhur gjatë ditës së djeshme.

Abazi përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, ka bërë të ditur se dje ishte ditë feste dhe se ishte ndryshe, pasi i dhanë besën njëri-tjetrit për vendin.

Abazi tha se dje u dëgjua thirrja për të ruajtur çdo kontribut, secilin moment të luftës së lavdishme të UÇK-së, bijave dhe bijve të vendit, heronjve të historisë dhe patriotëve, që nuk u dorëzuan asnjëherë.

Ja postimi i plotë i Abazit:

Urime edhe sot!

Dje kaluam nje ditë feste, feste e rëndësishme në udhëtimin tonë si komb, përkrah kombeve tjera. Të tjerët janë para nesh, ata bënë shtetin kur ne sikur luftonim njëri tjetrin e Besën u falëm të huajve. Dje ishte ndryshe, Besën njëri tjetrit, për vendin.

Dje, ishte ditë e bukur në të gjitha anët, në Prekaz dielli bënte dritë e shpirtrat e familjes Jashari i jepnin shkëlqimin vendit tonë. Ndëgjohet thirrja për të ruajtur cdo kontribut, secilin moment të luftës së lavdishme të UÇK, bijave dhe bijëve të vendit, heronjëve të historisë dhe patriotëve që nuk u dorëzuan asnjeherë. Lavdi e përjetshme!

Në Velani u bëmë bashkë për qëllimin e madh për të cilin luftuan, dhanë jetën, u sakrifikuan dhe lanë amanet për ta bërë shtetin për ta ruajtur kombin. Edhe Presidenti Rugova edhe heroi- Mandela ynë, Demaçi, kanë dhënë drejtim dhe vizion për të ardhmën dhe qëndrueshmërinë përballë pengesave. Të gjithë Dëshmorët që pushojnë në tokën për të cilën ranë- janë skalitur përjetësisht në historinë e kombit tonë. Lavdi!

Dje, Kuvendi i Republikës rrezatoi vlerë, sinqeritet, unitet, respekt për të gjithë, pa përjashtim.

Dje si çdo ditë, roja e shtetit tonë, ushtria dhe ushtarët tanë na bënë krenar, të mbrojtur dhe të sigurtë. Uniforma është e jona!

Dje, u bëmë bashkë për ardhmërinë tonë, për Republikën, për guximin tonë që na duhet për të kryer detyrat e përditshme në realizimin e qëllimeve tona. Dje shteti dhe qytetari ishin bashkë, ashtu do të vazhdojmë!

Falemnderit gjithashtu policisë së Kosovës për sigurinë publike.

Kërkoj falje për ndonjë lëshim që ka mundur të ndodhë dhe të jeni të sigurt që nuk e kemi bërë me qëllim!.

Komento: