Abdixhiku bën thirrje që të vizitohet ekspozita “Reporting House”: Mësim rifreskues dhe i vlefshëm në këtë kohë

11:57 | 04 Korrik 2024
abdixhiku-ben-thirrje-qe-te-vizitohet-ekspozita-“reporting-house”:-mesim-rifreskues-dhe-i-vlefshem-ne-kete-kohe

Kryetari i LDK’së, Lumir Abdixhiku, ka vizituar ekspozitën “Reporting House”, për të cilën ka thënë se është një nga ekspozitat më domethënëse dhe më të bukura të pasluftës në Kosovë.

“REPORTING HOUSE, një ndër ekspozitat më domethënëse e më të bukura të pasluftës në Kosovë. Jeta Xharrës e kuratorit Gaz Ejupi, e nëpërmjet tyre dhe gjithë kontribuuesve, realizatorëve e artistëve të kësaj ekspozite u shpreha gjithë vlerësimin tim për një manifestim sa të hollë e aq përmbajtësor. Them se kanë arritur mjeshtërisht të përmbledhin një copë historie – thelbësore për fatin tonë – që në secilën pamje ribëhej e gjallë e kështu të shëtiste nëpër kohë. Nën shoqërimin e tyre e të Donika Shahinit, së bashku me Sibelin kaluam nëpër secilën vepër të prezantuar në ekspozitë.”

Ai ka bërë thirrje që të vizitohet kjo ekspozitë, pasi sipas tij përveç se rikujtim, është edhe mësim rifreskues dhe i vlefshëm në këtë kohë.

“Nëpërmjet një koleksioni të përzgjedhur me plot kujdes, besa dhe shije, ekspozita shpaloste materiale nga media botërore e vendore, nga viti 1987 deri tek viti 2000 mbi Kosovën. Të 1 mijë e 773 metrat katrorë, të hapësirës së ish shtëpisë së mallrave ‘Gërmia’, ishin përshtatur mu për këtë ekspozitë, duke i dhënë kështu veprave ndjenjën fizike të kthimit në kohë. Prandaj, në këto ditë vere, gjeni kohë e vizitoni këtë ekspozitë. Përveç se rikujtim, është dhe mësim rifreskues dhe i vlefshëm në këtë kohë. Veçmas në këtë kohë!”

Komento: