
Lumir Abdixhiku ka reaguar sërish pasi mbrëmë në Kuvendin e Jashtëzakonshëm arriti që sërish të qëndrojë si Kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, me një diference tejet të vogël në vota nga ata që kërkuan largimin e tij dhe ata që deshën vazhdimin e tij në krye të partisë.
Abdixhiku tha se në LDK, fjala e fundit i takon gjithmonë anëtarësisë dhe se mbrëmë ajo foli.
“Kam besuar se ky Kuvend ishte i panevojshëm, i dëmshëm e i ngutshëm. Sot, ai i përket së shkuarës. E pranoj me përulësi vendimin e delegatëve dhe e marr atë si një përgjegjësi të re për ta ruajtur me fanatizëm kahjen e LDK-së. LDK mbetet veç e anëtarësisë dhe ky është verdikti më thelbësor që dha LDK-ja mbrëmë”, deklaroi Abdixhiku.
AI gjithashtu tha se “kjo periudhë na sprovoi. Por sprovat nuk duhet të na ndryshojnë vlerat. LDK-ja është ndërtuar mbi kulturën e dialogut, të maturisë dhe të respektit për mendimin ndryshe. Pikërisht këto vlera duhet të na udhëheqin edhe tani. Prandaj sot kam vetëm mirënjohje. Mirënjohje për ata që më besuan. Po aq mirënjohje edhe për ata që menduan ndryshe. Demokracia nuk kërkon njëzëshmëri, ajo kërkon respekt”.