Abdixhiku flet për kërcënimin për atentat: Nuk ndihem i rrezikuar, s’kam nevojë për mbrojtje të afërt

11:35 | 19 January 2023

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, është deklaruar lidhur me raportimet për planin për atentat ndaj tij dhe tre deputetëve të LDK-së.

Abdixhiku sot para mediave ka thënë se nuk ndihet i rrezikuar dhe se Policia e Kosovës e ka ofruar sigurinë e nevojshme.

Por, kreu i LDK-së konsideron se nuk ka nevojë për mbrojtje të afërt.

“Nuk ndihemi absolutisht të rrezikuar, Policia e Kosovës dhe organet e tjera të rendit tashmë janë duke u marrë me këtë. Unë sot në Kuvend kam ardhur si zakonisht pa pasur nevojë për mbrojtje të afërt” , ka thënë Abdixhiku duke mos dhënë detaje më të hollësishme.

Përpos Abdixhikut, cak i sulmit kanë qenë edhe tre deputetët e LDK-së.

Bëhet fjalë për deputetët Avdullah Hoti, Armend Zemaj dhe Arben Gashi.

Policia e Kosovës mbrëmë ka konfirmuar se është duke trajtuar këtë rast.

“Policia e Kosovës, në këtë rast drejtoria kompetente e PK-së, ka ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme policore lidhur me rastin/kanosjen në fjalë. Të gjitha veprimet e mëtejme policore do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”, bënë të ditur nga Policia.

Komento: