Abdixhiku i ashpër me Kurtin: Nuk mundemi më me popullizëm nga 134 kosovarë në ditë po ikin nga vendi

20:01 | 29 January 2023

Abdixhiku kritikon Kurtin: S’mundemi më me popullizëm nga 134 kosovarë në ditë po ikin nga vendi.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka thënë se nga bashkëbisedimi që ka pasur me diplomatët e huaj ka marrë informacione se gjatë vitit 2022, mbi 49 mijë qytetarë janë pajisur me viza pune nëpër vende të Evropës.

Për këtë ai kritikon Qeverinë e Albin Kurti duke e cilësuar si populiste.

”Pra, çdo ditë e secilën ditë, nga 134 kosovarë e lëshojnë Kosovën. Dhe sot, këtë të diel, janë larguar 134 sosh. Deri në fund të javës do të largohen rreth 1 mijë kosovarë nga vendi”, ka shkruar ndër tjerash Abdixhiku në Facebook. “Janë njerëzit tanë, fqinjët tuaj, mjekët, mësuesit, punëtorët e zanatit e profesionistët e rrallë – secili me të cilët ndani ditën – që ikin nga këtu. Qytetet po na zbrazen; fshatrat po na shuhen, shërbime të tëra publike po na mbesin pa punëtorë e profesionistë në to. Kosova thjeshtë po zbrazet dhe ne s’mund të vazhdojmë më kështu”.

Ai ka shprehur kritikë edhe për qasjen e Kurtit në raport me SHBA-të.

Ka thënë se politika të tilla veç “theqafjen e kanë si përfundim”.

”S’mund të vazhdojmë me popullizmin e pushtetarëve e altoparlantëve të tyre depresiv që veç theqafjen e kanë si përfundim. Refuzojeni këtë mendësi; Kosova s’i ka borxh të tillëve! Vendi ynë s’guxon të mbyllet në rrugëtimin euroatlantik si aspiratë historike e jona. Vendi ynë s’guxon të përplaset me aleatë, tani kur i duhet mbështetja në këtë rrugëtim. Vendi ynë s’duhet të jetë peng i ankesave të së shkuarës e kauzave të turmës. E shkuara s’na ndryshon më, e ardhmja s’po na bëhet”.

“Si gjeneratë politike duhet tu japim atyre që sot mbyllin valigjet para largimit, Evropën jo si destinacion ikjeje, por si standard jetese këtu. Sepse Kosova meriton më mirë, sepse Kosova mundet më shumë”, ka thënë Abdixhiku.

Komento: