
Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka treguar disa nga nga propozimet e Lidhjes Demokratike të Kosovës për të tejkaluar situatën aktuale në vend.
Ai ka thënë se si LDK, kanë prezantuar 7 pika “për rrugën përpara”.
Abdixhiku ka thënë se LDK kërkon zgjedhje reja në katër komunat në veri, dhe formimin e një ekipi për hartimin e drafstatutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Sot takuam mbi 20 organizata të shoqërisë civile dhe në takimin tre orësh folëm hapur për gjendjen politike në vend dhe mbi të gjitha për rrugën përpara. Si LDK ne prezantuam edhe shtatë pikat tona, të njëjtat që i kemi prezantuar edhe javën e kaluar me opinionistët dhe gazetarët. Disa prej tyre do t’i them edhe tani. Për LDK-në gjendja e tanishme kërkon shtensionim dhe zgjedhje të reja sa më parë të jetë e mundshme në veri të vendit me qëllim të kthimit të legjitimitetit lokal në katër komunat veriore, legjitimitet i dëmtuar për shkak të pjesëmarrjes së vogël të serbëve atje. Zgjedhjet e reja duhet të organizohen me marrëveshje politike mes pjesëmarrësve në zgjedhje, Lëvizjes Vetëvendosje, PDK-së dhe katër kryetarëve aktuale atje për dorëheqje dhe zgjedhje të reja. Si pikë e dytë periudha 45 ditëshe duhet të shërbejë veçanërisht për partnerët ndërkombëtarë për bindje të serbëve atje që të marrin pjesë në zgjedhje”, ka thënë Abdixhiku para mediave.
Abdixhiku ka thënë se Kosova duhet ta ketë draftin e saj për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
“Kosova duhet të marrë autorësinë mbi draftin dhe kjo ka qenë kërkesë e vazhdueshme e institucioneve ndërkombëtare. Pra, tash e një vit të gjitha institucionet ndërkombëtare e në veçanti ShBA kanë kërkuar që Kosova, institucionet e vendit të marrin autorësinë, në mënyrë që kjo autorësi të mos i vihet një pale tjetër. Pra, nuk është e vërtetë se nga ne nuk pritet një gjë e tillë, përkundrazi kërkohet nga ne dhe jo vetëm kaq, Kosovës i garantohet që kjo pritje nuk ka të bëjë me rrenim kushtetues ose me dalje prej kornizës kushtetuese”, ka thënë ai.
Para këtij takimi, Abdixhiku i ka takuar gazetarë dhe analistët me të cilët ka folur gjatë për situatën në Kosovë.
Kreu i LDK-së në fund të muajit, kishte njoftuar për iniciativën e tij për angazhim mbipartiak për dalje nga kriza e tanishme izoluese e tensionuese, siç e quan ai kundër politikave përplasëse të Qeverisë së Kosovës me aleatët historik të saj.
Sipas tij, këtë iniciativë ai e ka marrë që në javën e kaluar me qëllim të nisjes së artikulimit të një mendimi të përbashkët shoqëror për një rrugë të re për Republikën e Kosovës.
Abdixhiku, kishte thënë se Kosova ka nevojë për “një rruge të re, pa Albin Kurtin”.
Për këtë rrugë, ai ka thënë se kanë marrë mbështetje të madhe nga akterët e ftuar.