Abdixhiku: Kosova, vendi më i varfër në Evropë, po i afrohet importit një miliardë euro rrymë

14:26 | 06 Dhjetor 2025
Abdixhiku: Kosova, vendi më i varfër në Evropë, po i afrohet importit një miliardë euro rrymë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar lidhur me menaxhimin e sektorit të energjisë në Kosovë.

Abdixhiku ka shkruar në Facebook se, derisa sipas tij aktorë të tjerë politikë po merren me tema të parëndësishme, përfaqësuese të LDK-së janë fokusuar në atë që ai e quan “skandali i madh i mafias energjetike”, i cili po dëmton themelet ekonomike të vendit.

Ai ka theksuar se në konferencën e sotme, deputetja Bajrami dhe Janina kanë shpalosur, siç ka thënë ai, zinxhirin e përfituesve të kësaj afere, me Vuk Hamoviqin në krye.

“Në Konferencën e sotme, ato shpalosën qartë skandalin e madh energjetik në vend, që po gërryen fundamentet ekonomike të Republikës. Ky skandal duhet të jetë shqetësimi i sotëm politik; jo fyerjet që nuk sjellin asgjë”, shkroi kreu i LDK-së.

Sipas tij, gjatë pesë viteve të fundit Kosova ka importuar energji elektrike në vlerë prej 811 milionë eurosh, ndërsa vetëm këtë vit janë shpenzuar 247 milionë euro për blerje të rrymës.

“Për pesë vite të popullistëve, Kosova ka importuar plot 811 milionë euro energji elektrike. Vetëm gjatë këtij viti, janë djegur 247 milionë euro për blerje të rrymës.

Po i afrohemi një miliard eurove import të rrymës; vendi më i varfër në Evropë. Një miliard euro që mund të ishin investuar në zhvillim, në prodhim, në shëndetësi, në bujqësi, në paga të mësimdhënësve dhe mjekëve.

Komento: