Lumir Abdixhiku ka thënë se kryeministri Albin Kurti nuk e kupton ekonominë, por e kupton propagandën.
“Fatkeqësisht, propaganda nuk e bën ekonominë, por ai angazhohet vetëm për këtë të parën”, ka shkruar Abidixhiku, transmeton Klankosova.tv.
Abdixhiku këshilloi Kurtin që të del për të folur me qytetarët, në mënyrë që t’i kuptojë problemet që kanë.
“Albin Kurti flet për zhvillim ekonomik i shkëputur nga realiteti shoqëror në vend. Nga zyra e tij, rryma është tani e lirë, produktet bazike mbesin me taksë, punëtorët s’merritojnë paga më të larta, e zhvillimi është i mundshëm veç me fjalë. Kështu ai tregon se as nuk i njeh e as nuk i kupton hallet e qytetarëve të vet. Një kryeministër i denjë do të njihte krizën për fillim. Një kryeministër i mbarë do të pranonte vështirësitë që qytetarët kanë sot. Le të dalë të flasë me njerëzit e këtij vendi për të kuptuar papërballueshmërinë. Le të flas me punëtorë e ta kuptojë se si mbijetohet sot në këtë rritje të frikshme të çmimeve. Le të flas me ta për ikjet masive, për kolapsin në ekonomi, për krizat në arsim e dështimet në shëndetësi. Mbi të gjitha në vend të përrallave për zhvillim, le t’iu flasë për dimrin e vështirë energjetik tek i cili po i futë njerëzit tërësisht pa përgatitë.
I pari i LDK-së tha se në dy vitet e qeverisjes së Kurtit janë thyer disa nga rekordet më negative ekonomike në vend.
“Që nga dita e parë e tij e punës e deri më sot, çmimet janë rritur për 20%. Ky numër është rekord. I paparë ndonjëherë. Produktet bazike si buka, mielli, qumështi, vaji, vezët, rryma e derivatet janë sot dy-tre fish më shtrenjtë se sa që ishin dy vite më parë. Por ai këtë rritje të çmimeve nuk e sheh. Inflacionin, madje, e interpreton si sukses; thotë se është rritur qarkullimi i bizneseve për 20% e janë rritur të hyrat e buxhetit për 20%. Nuk është rritur as qarkullimi e as të hyrat – në terma real – janë rritur vetëm çmimet. Dhe atë për 20%”, shkroi Abdixhiku.
Tutje Abdixhiku tha se Kurti preferon të përmendë rritjen e eksportit për 300 milionë, por qëllimisht nuk përmend rritjen e importit për 2 miliardë e 300 milionë.
“Flet për rritje ekonomike në vend, por sipas Bankës Botërore, Kosova – përjashto pandeminë – do të shënojë sivjet rritjen më të ulët ekonomike në 10 vjet. Me vetëm 3.1% rritje, për herë të parë në një dekadë, vendi ynë do të ketë rritje nën mesataren e asaj në Ballkan. Kaq është zhvillimi i tij sivjet”.
“Investimet kapitale në vend, ato që shtyjnë vërtetë ekonominë, janë në realizimin më të ulët historik. Edhe gjatë kohës së pandemisë e mbylljes totale në vend, Kosova kishte realizm më të lartë se që ka sot. Mendojeni pak këtë; të punosh më pak se në pandemi. Me vetëm 9% punë të kryera nëpër ministri, ai ka bllokuar ekonominë. Sot mbanë 700 milion euro në bankë, pa e kuptuar se me inflacion prej 20% i ka zhvlerësuar mbi 140 milionë euro prej tyre”.
“Jemi në krizë!”, përfundoi Abdixhiku.