
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, tha se Kuvendi i partisë është një standard i rëndësishëm demokratik jo vetëm për LDK-në, por për të gjitha partitë politike në Kosovë. Ai theksoi se nga ky debat dhe nga kjo ditë, LDK-ja do të dalë më e unifikuar, më e fortë dhe e përgatitur për të ardhmen politike të vendit.
“Le të jetë ky një standard i mirë, i mbarë, jo vetëm për LDK-në, por për çdo parti tjetër politike në Kosovë. I siguroj gjithë anëtarësinë e LDK-së se nga ky debat, nga kjo ditë, do të dalim edhe më të unifikuar, edhe më të fortë, edhe më të gatshëm për të ardhmen e mirë që na pret përpara. Edhe një herë, ka debat, ka diskutime, flasim për LDK-në, flasim për të ardhmen e Kosovës, në qetësi, në maturitet dhe në fund me shumicë votash, me demokraci e përcaktojmë fatin tonë politik”, tha ai percjell EO.
Abdixhiku shtoi se Kuvendi është organi më i lartë i LDK-së dhe ka çdo të drejtë të vendosë për të ardhmen politike të partisë.
“Ky është Kuvendi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, organi më i lartë. Kuvendi ka çdo të drejtë, vendos për çdo gjë. Prandaj në këtë rrethanë unë do të kem një fjalim, të cilin ju do ta dëgjoni publikisht dhe më pas i hapim punimet e Kuvendit dhe Kuvendi vendos për të ardhmen politike të LDK-së dhe secilit”.
“Unë e kam bërë gjënë më fisnike që mund ta bëj, t’ia lë këtë fat anëtarësisë sime. Edhe besoj që anëtarësia jonë është e matur, e ka përkushtim për LDK-në, i njeh nevojat e LDK-së dhe do të marrë vendim e lirë pa asnjë presion politik. Pra edhe një herë, mirë se vini në demokraci. Është standard normal politik i një partie politike. Më vjen mirë që ka interesim të madh për LDK-në. Është shenjë e mirë për ne, ta shfrytëzojmë edhe këtë mundësi të mirë mediatike që kemi”, tha ai.
Ai po ashtu bëri thirrje për fokus tek aspektet pozitive të procesit, duke theksuar rëndësinë e ballafaqimit të partisë me anëtarësinë e vet.
“ Shiko, Kuvendi ka fillimisht një rend dite, një fjalë time. Pas fjalës sime merr vendimin për të proceduar tutje. Dëgjoni, ky është niveli më i lartë demokratik. Mund të gjejnë kritika për gjëra jo të rëndësishme, por le të vlerësojmë madhështinë e një partie politike e cila është e gatshme të ballafaqohet me anëtarësinë e vet. Pra le t’i shohim anët e mira, mos të shohim gjithmonë ndonjë lëshim të vogël teknik që s’ka fort peshë. Ju faleminderit të gjithëve”, tha Abdixhiku.
