I pari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka lansuar spotin e nisjes së fushatës, ku ka folur për zgjedhjet e 9 shkurtit, duke thënë se në të njëjtat do të votohet jo vetëm për një parti apo kryeministër, por për të ardhmen e Kosovës, e e cila, siç ka thënë ai, ‘‘është e bukur’’.
Abdixhiku ka thënë edhe se Kosova për një kohë të gjatë ka qenë në momente të rënda, porse më nuk ka kohë për të humbur.
I pari i LDK-së, ka thënë edhe se ky është momenti i kësaj partie.
”Jemi popull që ja dalim gjithnjë. Ja kemi dalur gjithherë. Ringritemi. Ndërtojmë. Besojmë. Dhe në këtë udhëkryq të sotëm, ne zgjedhim ndryshimin. Ne zgjedhim Rrugën e Re. Zgjedhim shpresën për ta bërë atdheun tonë, siç e ka merituar gjithherë”, ka thënë ai mes tjerash.
Postimi i plotë:
Këto zgjedhje janë një udhëkryq. Janë momenti kur vendosim, jo vetëm për atë se çfarë jemi sot, por çfarë duam të bëhemi në të vërtetë nesër.
Këtë shkurt, ne nuk votojmë vetëm për një parti apo një kryeministër. Këtë shkurt, ne votojmë për të ardhmen e Kosovës, të ardhmen tuaj, të ardhmen e vet Republikës. Dhe kjo e ardhme, është e bukur.
Për një kohë të gjatë, kemi parë vendin tonë në momente të rënda. Me mundësi të humbura, e me përplasje që na mbajnë peng të frustrimit e përçarjes, ani pse duhej të ishim bashkë, ani pse duhej të ishim të fortë.
Por Kosova kohë për të humbur, nuk ka më. Jemi popull që ja dalim gjithnjë. Ja kemi dalur gjithherë.
Ringritemi. Ndërtojmë. Besojmë.
Dhe në këtë udhëkryq të sotëm, ne zgjedhim ndryshimin. Ne zgjedhim Rrugën e Re. Zgjedhim shpresën për ta bërë atdheun tonë, siç e ka merituar gjithherë.
Ne jemi gjenerata që ndryshojmë kur duhet, që krijojmë shpresë kur vendi na thërret. Jemi gjenerata që nderojmë të shkuarën, për ta bërë të ardhmen që vërtetë na pret.
Dhe ky është momenti ynë tani.
Më 9 shkurt, bëhu pjesë e thirrjes sonë për ta bërë këtë vit, një vit që ka për t’u mbajtur mend përgjithmonë.
124 është numri ynë, Republika jonë është vet ëndrra jonë. Është projekti ynë. Ndryshimi sot, është misioni ynë. Bëhu ndryshimi!