
Kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku, ka mbështetur dekretin e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për shpërndarjen e Kuvendi i Kosovës dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja.
Në reagimin e tij, Abdixhiku tha se LDK e mirëpret dhe e mbështet këtë vendim, duke vlerësuar përgjegjësinë dhe qartësinë kushtetuese të treguar nga presidentja në mbrojtje të rendit kushtetues dhe funksionimit normal të institucioneve të Kosovës.
Sipas tij, dështimi politik dhe tendencat për imponim e improvizim nuk mund të prodhojnë debate artificiale apo zvarritje procedurale që do ta shndërronin vendin në një shtet pa norma dhe rregulla.
Abdixhiku theksoi se LDK është e gatshme të marrë pjesë në konsultimet për caktimin e datës së zgjedhjeve dhe t’u drejtohet qytetarëve për një zgjidhje të re demokratike.
Megjithatë, ai shtoi se zgjedhjet nuk kanë qenë alternativa e preferuar e LDK-së, duke i cilësuar ato si të panevojshme dhe lehtësisht të shmangshme. Sipas tij, apetitet për kapje njëpartiake të të gjitha pozitave shtetërore kanë penguar çdo kompromis të mundshëm politik.
“Tani vendimi i takon qytetarëve të Republikës së Kosovës. Në demokraci, fjala e fundit gjithmonë i takon sovranit”, thuhet në reagimin e Abdixhikut.