Abdixhiku: Mësimdhënësit me pagë mujore që nuk i mbulojnë nevojat e tyre, me mua koeficienti 150 euro

22:08 | 13 November 2024
abdixhiku:-mesimdhenesit-me-page-mujore-qe-nuk-i-mbulojne-nevojat-e-tyre,-me-mua-koeficienti-150-euro

Kandidati për kryeministër nga radhët e LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka njoftuar se sot takoi mësimdhënësit nga Prishtina.

Ai deklaroi se në javën e parë të qeverisjes së tij koeficienti i pagave për mësimdhënës do të jetë 150euro, transmeton Front Online.

“U zotova edhe për koeficientin e pagave 150 euro në javën e parë të qeverisjes sime – për jetë më të mirë për mësimdhënësit tanë dhe për të gjithë shërbyesit publik!”, tha ai të mërkurën.

Njoftimi i plotë:

Mësim gjithëditor! Koeficient 150!
Fëmijë të mençur, mësimdhënës me dinjitet!

Sot pata kënaqësinë ta takoj mësimdhënës të përkushtuar nga Prishtina të cilët më treguan për vështirësitë dhe shqetësimet që i hasin çdo ditë në sistemin arsimor të vendit tonë.

Ata e kanë detyrën fisnike të edukimit të brezave të së ardhmes, por përballen me sistem të vjetëruar arsimor, pa kushte për zhvillim profesional, dhe me paga mujore të pamjaftueshme që nuk i mbulojnë nevojat e tyre bazike përballë çmimeve të larta dhe inflacionit.

Ndërsa ata më flisnin për sfidat, unë ju tregova për vizionin tonë me mësimin gjithëditor që u implementua me sukses të madh në 5 shkolla fillore të Prishtinës. Atë do ta zgjerojmë në së paku 5 Komuna të Kosovës, si një hap i domosdoshëm për t’i ngritur standardet e edukimit, dhe për të ofruar kushte më të mira për nxënësit dhe prindërit e tyre!

U zotova edhe për koeficientin e pagave 150 euro në javën e parë të qeverisjes sime – për jetë më të mirë për mësimdhënësit tanë dhe për të gjithë shërbyesit publik! Fola edhe për programet e veçanta për trajnimin profesional të mësimdhënësve që kanë për qëllim zhvillimin e tyre dhe ngritjen e cilësisë së arsimit!

Sepse mësimdhënësit janë në themelet e së ardhmes të ndritur të Kosovës, dhe ndryshimin e madh që po vjen do ta sjellim bashkë me ta dhe me gjithë qytetarët e Kosovës.

Komento: