
Në Bukuresht po mbahet Kongresi i Partive Popullore Evropiane. Në këtë kongres ishte i ftuar edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.
I pari i kësaj partie, përderisa po fliste për luftën në Ukrainë dhe ruajtjen e rendit ndërkombëtar, tha se ai i përket brezit të fundit evropian, që ka dëshmuar luftën dhe ka fatin e një lufte, shprese dhe gëzimi të tillë, çerek shekulli më parë.
“Duhet të vijë koha që Bashkimi Evropian ta përqafojë Kosovën plotësisht, duke njohur hapat që kemi bërë drejt demokracisë, sundimit të ligjit dhe zhvillimit ekonomik. Udhëtimi ynë është shënuar nga sfida të rëndësishme, megjithatë angazhimi ynë për integrimin evropian ka mbetur i palëkundur”.
Kryetari i LDK-së bëri thirrje për ato pak vende që nuk e kanë njohur Kosovën, ta bëjnë këtë. Sepse sipas tij mbështetja e tyre është vendimtare për avancimin e stabilitetit, paqes dhe prosperitetit në rajon.
“Aspiratat e Kosovës përputhen me këtë vizion, dhe përfshirja jonë në familjen evropiane do të shënonte një hap të rëndësishëm drejt realizimit të një Evrope të plotë dhe në paqe. Shfrytëzoj rastin të përfundoj fjalët e mia duke thënë se EPP ka qenë gardiane e Evropës demokratike, ashtu siç ka qenë LDK-ja gardiane e Kosovës demokratike”, përfundoi Abdixhiku.