Abdixhiku në Mitrovicë: Linja e Gazit Shkup-Prishtinë-Mitrovicë do të rigjallëroj këtë qytet ikonik të Kosovës

19:38 | 18 January 2025
abdixhiku-ne-mitrovice:-linja-e-gazit-shkup-prishtine-mitrovice-do-te-rigjalleroj-kete-qytet-ikonik-te-kosoves

Tubimi elektoral i radhës i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) u mbajt sot në Mitrovicë, ku kryetari dhe kandidati për kryeministër, Lumir Abdixhiku, theksoi rëndësinë historike dhe simbolike të këtij qyteti.

Në një tubim të mbushur me entuziazëm, Abdixhiku e cilësoi Mitrovicën si “zemrën e Kosovës,” duke vlerësuar kontributin e saj për ekonominë dhe historinë kombëtare.

“Mitrovica është më shumë se një qytet – Mitrovica është simbol i përpjekjes për bashkim e nevojës për rezistencë! Mitrovica është një kujtesë e përhershme e asaj që populli ynë mund të arrijë kur është i bashkuar, kur nuk ndahet, kur nuk përçahet! Ky qytet ka qenë gjithmonë zemra e Kosovës. Mitrovica ka lindur dhe rritur njerëz të pashembullt, punëtorë, intelektualë, artistë dhe heronj që i dhanë Kosovës shpirt dhe jetë. Nga gurët e kombinatit të Trepçës që kanë ushqyer ekonominë e vendit për dekada, deri te rrugët dhe sheshet ku çdo anë frymon histori, Mitrovica është dhe do të mbetet simbol i forcës sonë kombëtare.” – tha ai mes tjerash.

Abdixhiku theksoi nevojën për pajtim dhe bashkëpunim, duke refuzuar çdo lloj përçarjeje. “Dhe sot, më shumë se kurrë, kemi nevojë për atë frymë të Mitrovicës, për atë energji të pathyeshme që e bën këtë qytet kaq të veçantë.” – tha Abdixhiku.

Komento: