Abdixhiku në Prishtinë prezanton programin milionësh të LDK-së, për sportin, kulturën dhe turizmin

20:57 | 03 December 2024
abdixhiku-ne-prishtine-prezanton-programin-milionesh-te-ldk-se,-per-sportin,-kulturen-dhe-turizmin

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka prezantuar programin e LDK-së, për zhvillimin e sektorëve të Sportit, Kulturës dhe Turizmit në Kosovë.

Në një tubim të mbajtur në Prishtinë, Abdixhiku dhe ekipi i tij paraqitën një sërë projektesh infrastrukturore që do të transformojnë rrënjësisht peisazhin e Kosovës në këto fusha brenda katër viteve.

Në Sport, programi përfshin investime të mëdha, duke filluar me 100 milionë euro për ndërtimin e Qendrës Kombëtare të Sportit në Bërnicë të Prishtinës. Qendra do të përmbajë një stadium kombëtar me 25,000 deri në 30,000 ulëse, një pallat kombëtar me salla moderne për sportet e dorës (basketboll, hendboll, dhe volejboll), si dhe dy pishina olimpike. Po ashtu, do të ndërtohen pesë stadiume rajonale të kategorisë 3 dhe 4 të UEFA-s në Gjilan, Ferizaj, Gjakovë, Pejë dhe Prizren.

Në Kulturë, LDK paraqiti projekte që synojnë të pasurojnë jetën kulturore të Kosovës, duke përfshirë ndërtimin e Teatrit të Operas dhe Baletit Dr. Ibrahim Rugova, me një vlerë prej 25 milionë euro. Gjithashtu, plani parashikon ndërtimin e Teatrit të Ri Kombëtar të Kosovës dhe një muzeu bashkëkohor me një vlerë prej 10 milionë euro. Ndër projektet e tjera janë themelimi i Muzeut të Paqes dhe Rezistencës dhe adoptimi i 10 Qendrave Multifunksionale në qytete të ndryshme të Kosovës, bazuar në modelin e Bibliotekës “Hivzi Sylejmani” në Prishtinë.

Në Turizëm, Abdixhiku ka paraqitur investime të mëdha për zhvillimin e industrisë turistike, përfshirë 80 milionë euro për një resort modern në Brezovicë dhe 50 milionë euro për resortin e Pejës, duke synuar transformimin e Kosovës në një destinacion turistik të njohur ndërkombëtarisht.

Abdixhiku theksoi se Kosova ka nevojë për ambicie të mëdha dhe projekte që do të sigurojnë një të ardhme më të mirë, duke e nxjerrë vendin nga moçali i ndarjes dhe propagandës. “Ndryshimi është i mundshëm! Bëhu Ndryshimi!” përfundoi ai, duke ftuar qytetarët të mbështesin programin e LDK-së për një Kosovë më të zhvilluar dhe të përparuar.

Postimi i Abdixhikut:

Në Prishtinë prezantuam programin për Sport, Kulturë dhe Turizëm. Prezantuam projektet kryesore infrastrukturore – një ambicie sa e madhe aq e guximshme – që për katër vite do të transformojnë rrënjësisht peisazhin e Kosovës në këto fusha.

Në Sport , prezantuam:

– 100 milionë euro për ndërtimin e Qendrës Kombëtare të Sportit në Bërnicë të Prishtinës.

– Qendra do të ketë STADIUM KOMBËTAR me 25 mijë deri në 30 mijë ulëse;

– PALLAT KOMBËTAR me salla moderne për sportet e dorës (basketboll, hendboll e volejboll);

– 2 Pishina Olimpike;

– Prezantuam dhe ndërtimin e 5 STADIUMEVE RAJONALE të kategorisë 3 dhe 4 të UEFA-s në Gjilan, Ferizaj, Gjakovë, Pejë e Prizren.

Në Kulturë , prezantuam:

– Ndërtimin e Teatrit të Operas dhe Baletit Dr. Ibrahim Rugova, në vlerë prej 25 milionë eurove;

– Ndërtimin e Teatrit të Ri Kombëtar të Kosovës;

– Ndërtimin e Muzeut Bashkëkohor në vlerë prej 10 milionë eurove;

– Themelimin dhe ndërtimin e Muzeut të Paqes dhe Rezistencës;

– Adoptimin e 10 Qendrave Multifunksionale në 10 qytete të Kosovës, në modelin e adoptimit të Bibliotekës ‘Hivzi Sylejmani’ në Prishtinë.

Në Turizëm , prezantuam:

– 80 milionë euro investime në resortin modern turistik në Brezovicë;

– 50 milionë euro investime në resortin e Pejës.

Kosovës i duhen ambicie të mëdha. Ambicie që bëjnë të ardhmen e na nxjerrin nga moçali i thellë i pështymave, ndarjes e propagandës.

Unë besoj në Republikën e Kosovës!

Ndryshimi është i mundshëm!

Bëhu Ndryshimi!

Komento: