
Kryetari i LDK-së, Lumri Abdixhiku në fjalën e tij për 18 vjetorin e pavarësisë së Kosovës ka thënë se nuk ka asgjë, e as proces e as forcë që ndryshon lavdinë e luftës së pastër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Abdixhiku theksoi se Prekazi e zgjoi ndërgjegjen ndërkombëtare dhe atë ndërkombëtare.
“Prekazi e zgjoi ndërgjegjen kombëtare dhe atë ndërkombëtare dhe e bëri të qartë se padrejtësia kishte arritur kufirin e saj të fundit. UÇK ishte përgjigje e një populli të shtypur ndaj dhunës sistematike dhe krimeve kundër njerëzimit. UÇK u bë faktor i pashmangshëm i realitetit politik dhe historik, duke u ndërtuar me përpjekje diplomatike dhe mbështetje të aleatëve tanë. Sakrifica e luftëtarëve të UÇK-së, heronjve, dëshmorëve e martirëve që qëndrojnë në altarin e kësaj republike mbetet pjesë e pandashme e historisë sonë të historisë. Nuk ka gjë, nuk ka as proces, as forcë që ndryshon lavdinë e kësaj lufte të pastër dhe historike të popullit të Kosovës dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. UÇK është vet populli i Kosovës. Këto dy rrugë, ajo paqësore dhe çlirimtare, janë rrugët e popullit tonë drejt lirisë dhe pavarësisë; nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën, ato e plotësojnë njëra-tjetrën dhe krijuan kushtet që Kosova të mbijetojë, të çlirohet dhe më në fund të bëhet shtet”, tha ai.
Abdixhiku tha se pavarësia e Kosovës ishte kulmi i një procesi të gjatë shekullor për mbijetesë.
“18 vjet më parë Kosova u bë shtet, por shumë më herët Kosova kishte vendosur të jetë e lirë dhe të bëhet shtet. Dhe sot, teksa qëndrojmë në këtë tempull të shenjtë të pavarësisë, të trimëruar edhe nga shpirti i të parëve tanë dhe vullneti i paepur i popullit tonë për liri e shtetësi, ne duhet ta kujtojmë vetes se pavarësia e Republikës sonë nuk ishte vetëm një akt dite; pavarësia jonë është kulmi i një procesi të gjatë shekullor për mbijetesë, identitet dhe mbi të gjitha dinjitet. Është rezultat i një përpjekjeje kolektive që kalon përmes epokave, përmes sakrificave individuale dhe qëndrueshmërisë shqiptare. Pra, përmes mendimit politik dhe mbi të gjitha qëndrueshmërisë morale. Prandaj, në këtë ditë ne nuk e kujtojmë vetëm aktin e 17 shkurtit të 2008, por edhe rrugën që na solli deri aty… Rugova dhe lëvizja e madhe për liri, pavarësi e demokraci i dha Kosovës një orientim historik, epokal, e ktheu çështjen ndërkombëtare nga një realitet i dhunshëm në një projekt politik me legjitimitet moral. Ai e konceptoi lirinë si vlerë universale dhe shtetin si projekt kulturor dhe demokratik. Lëvizja paqësore nuk ishte zgjedhje e lehtë, por e vetëdijshme dhe e guximshme. Ishte bindja se një popull i vogël, por me të drejtë të madhe dhe të jashtëzakonshme, duhet të fitonte përkrahjen e botës perëndimore përmes maturisë, qëndrueshmërisë dhe vizionit. Ishte refuzim i urrejtjes dhe kamardarisë si mjete politike; ishte zgjedhje për të ruajtur shoqërinë, për të mbajtur gjallë kombin dhe për të ndërtuar shtetin mbi vlera. Rugova i mësoi Kosovës se durimi nuk është dorëzim, por është forcë e përmbajtur; se paqja nuk është mungesë guximi, por strategji e mençurisë; dhe se orientimi euroatlantik nuk është zgjedhje e momentit, por identitet politik i përhershëm i popullit të Kosovës”, tha Abdixhiku.
Abdixhiku tha se familja Jashari dhe Prekzai janë kthesë historike.
“Krahas rezistencës paqësore erdhi edhe momenti kur dhuna shtetërore e Serbisë dhe mohimi total i të drejtave të një vendi që kërkonte liri sollën popullin tonë përballë nevojës për mbrojtje të armatosur. Familja Jashari dhe Prekazi janë kthesë historike e kësaj rruge. Sakrifica e tyre, e përmasave që vështirë mund të shpjegohen dhe fliten edhe me një fjalim si ky, nuk ishte vetëm herozim individual; ishte akt themelues i ndërgjegjjes sonë kolektive. Akt themelues i vetë çlirimit. Ishte dëshmi se dëshmia ka çmim dhe se ndonjëherë ai çmim paguhet me më të shtrenjten: me jetë”, theksoi ai.