Abdixhiku, Osmani e Rama përurojnë unazën e brendshme të kryeqytetit

22:30 | 17 Maj 2026
abdixhiku,-osmani-e-rama-perurojne-unazen-e-brendshme-te-kryeqytetit

U përurua Unaza e brendshme e kryeqytetit, një prej projekteve më të mëdha infrastrukturore që synon lehtësimin e qarkullimit dhe përmirësimin e lëvizjes në kryeqytet.

Ceremonia e hapjes u mbajt në fund të rrugës “Nora e Hotit”, në vendlidhjen me Unazën Qendrore, pranë urës në drejtim të rrethrrotullimit të “Dukagjinit”.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, tha se projekti ka qenë një investim madhor për kryeqytetin dhe se realizimi i tij ka kërkuar punë të gjatë.

“Është një projekt madhor për kryeqytetin, që jemi duke punuar kogja një kohë të gjatë. Edhe sot po e përurojmë, po e bëjmë hapjen. Ishim edhe më poshtë, kemi përveç asfaltimit, është edhe ndriçimi, edhe pjesë për këmbësorë. Është një aks kyç për kryeqytetin, pra Unaza e Brendshme, e cila do t’i ndihmojë shumë edhe trafikut në kryeqytet. Është një prej projekteve madhore. Tash edhe do të bëjmë pak një ndryshim të lëvizjes të trafikut si rezultat edhe i këtij projekti të madh, i cili do t’i ndihmojë shumë trafikut në këtë pjesë të kryeqytetit”, tha Rama.

Kandidatja për presidente nga radhët e LDK-së, Vjosa Osmani, vlerësoi projektin si një investim që ndikon drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve dhe në përmirësimin e qarkullimit në kryeqytet.

“Kjo është një e arritur që tregon se kur punohet, kur ka vizion, kur ka projekte, qytetarëve të Prishtinës dhe të gjithë Kosovës u lehtësohet jeta. Ky është një prej projekteve, i cili vërtet e lehtëson qarkullimin në Prishtinën tonë, por, siç e tha edhe kryetari, është me rëndësi që mos të mbetet me kaq, që edhe nga niveli qendror të ketë përkrahje edhe për Unazën e Kryeqytetit edhe projekte të tjera madhore, të cilat janë të domosdoshme, duke filluar nga Prishtina, por edhe në nivel të të gjithë Kosovës”, tha Osmani.

Ndërsa, kryetari i Lidhjes  Demokratike të Kosovës dhe kandidati për kryeministër, Lumir Abdixhiku, tha se Unaza e Brendshme është projekt me rëndësi strategjike për kryeqytetin.

“Një projekt që, po mos të ishte bllokuar vitin e kaluar me ato vonesat financiare, do të ishte një projekt i vitit të kaluar. Por ja që punët e mbara s’të ndalen, e s’mund të ndalen asnjëherë. Jam i lumtur për këtë projekt kapital si shenjë ikonike e Prishtinës, sepse siç e dini, Unaza e Brendshme e kryeqytetit zgjidh shumë probleme të brendshme të qytetit, por le ta themi qartë, pa Unazën e Jashtme të kryeqytetit Prishtina ende është mangu. Atë që kemi zotuar tashmë si pjesë programore, e rizotojmë edhe njëherë. Pra po, do të mbështesim Unazën e Jashtme të kryeqytetit, do të mbështesim kredinë afatgjatë dhe do të mbështesim të gjitha projektet kapitale në komunën e Prishtinës”, tha Abdixhiku. /KP

Komento: