Abdixhiku: Paniku në Kosovë është interes i Vuçiqit

22:13 | 08 Gusht 2022

Intervista që ka dhënë Kurti për një gazetë italiane ka bërë bujë të madhe.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka reaguar pas intervistës së Kryeministrit Kurti për revistën italien “La Repunblica”, ku tha se ekziston rreziku për një konflikt të ri mes Kosovës dhe Serbisë.

Përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, Abdixhiku ka thënë se Kurti e dëshiron krizën, derisa e quan axhami, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

“Pyesni sot kompanitë kosovare se çfarë mesazhe marrin nga bashkëpunimet e tyre nëpër botë. Cili i marrë investon në një shtet kryeministri i të cilit paralajmëron luftë? Njëmijë Dua Lipa s’bëjnë punë më”, shkruan mes tjerash kryetari i LDK-së.

Postimi i plotë:

Kurti flet për luftë.

Ky është lajmi i mediave ndërkombëtare për Kosovën sot. Jo për investime, jo për integrime, por për luftë në Kosovë. Kaq për mesazhin tonë nëpër botë.

Dhe kështu, me mjeshtërinë e sherrit të një axhamie, ai arriti t’i bëjë konkurrencë të fortë lajmeve të mira që vera kulturore e Prishtinës dhe Kosovës ka prodhuar në po të njëjtat media tash e sa kohë.

Ky njeri e dëshiron krizën. E ëndërron protagonizmin tek paniku. Sikurse Vuçiqi, investimet tek shteti i të cilit natyrisht se nuk ndalojnë, edhe ky flet për një Kosovë të luftës, krizës e frikës. Çfarë të duhet propaganda e kundërshrarëve të shtetit, kur ke një kryeministër që të bën autogol?!

Pyesni sot kompanitë kosovare se çfarë mesazhe marrin nga bashkëpunimet e tyre nëpër botë. Cili i marrë investon në një shtet kryeministri i të cilit paralajmëron luftë? Njëmijë Dua Lipa s’bëjnë punë më.

Kosovës i duhet stabilitet dhe zhvillim. Shteti ynë përveç sigurisë vetanake ka dhe aleancën më të madhe ushtarke, atë të NATO-s, që garanton sigurinë tonë territoriale ndaj çdo agresioni të mundshëm. Kjo është e vërteta jonë; dhe këtë të vërretë duhet ta ushqejmë çdo ditë – duke forcuar veten në siguri e duke përforcuar aleancën me NATO-n si synim historik. Paniku ndërkombëtar rreth Kosovës së luftës e krizës e destabilitetit është interes veç i Vuçiqit e i Serbisë.

Kryeministri i Kosovës, Kurti, në një intervistë për gazetën italiane “La Repubblica” ka tërhequr vëmendjen se ekziston rreziku për një konflikt të ri mes Kosovës dhe Serbisë.

Sipas Kurtit, marrë parasysh se pas Serbisë qëndron lideri rus, Vladimir Putin, edhe rreziku për konflikt mbetet i lartë.

“Rrezikojmë luftë. Pas Serbisë është Putini. Nuk do të thosha se rreziku është shumë i madh, sepse ne kemi edhe një kontingjent të NATO-s këtu, por sigurisht që është i lartë. Ne jemi një demokraci që kemi një autokraci në kufij”, tha Kurti.

Duke folur për masat e fundit të Qeverisë së Kosovës për targat dhe reciprocitetin për dokumente me Serbinë, Kurti ka thënë se serbët kanë 48 baza rreth Kosovës dhe se protestat në veri ishin të organizuara nga Beogradi, me mbështetjen e Rusisë.

Sipas tij, protestat e një jave më parë në veri nuk ishin spontane, por të organizuara nga Beogradi me mbështetjen e Rusisë.

“Serbët kanë 48 baza nëpër Kosovë. Protestat nuk kanë qenë spontane, ato janë organizuar nga Beogradi me mbështetjen e Rusisë”, ka thënë Kurti për “La Repubblica”.

Komento: