Abdixhiku për 11 shtatorin: Sulm mbi vlerat e lirisë e demokracisë, Kosova do të mbetet gjithmonë krah për krah me SHBA

11:58 | 11 Shtator 2024
abdixhiku-per-11-shtatorin:-sulm-mbi-vlerat-e-lirise-e-demokracise,-kosova-do-te-mbetet-gjithmone-krah-per-krah-me-shba

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka thënë se sulmi mbi Kullat Binjake në New York, ishte sulm mbi vlerat e lirisë, demokracisë dhe bashkëjetesës që ndajnë vendet demokratike në botë.

“Sulmi mbi Kullat Binjake në New York, në mëngjesin e 11 shtatorit të vitit 2001 i cili mori jetën e rreth 3000 njerëzve të pafajshëm, tmerroi botën. Kjo tragjedi, nuk ishte thjesht një akt dhune, por një sulm mbi vlerat e lirisë, demokracisë dhe bashkëjetesës që ndajnë vendet demokratike anembanë botës.”

Abdixhiku ka shtuar se ky sulm ishte jo vetëm për SHBA’në por për gjithë botën perëndimore.

“Ky akt terrorist dhe barbar ishte sulm direkt jo vetëm për ShBA-të, por edhe gjithë botën perëndimore; ishte sulm mbi vlerat demokratike perëndimore. Sot, kur kanë kaluar mbi dy dekada nga momenti i ndodhjes së këtij akti të shëmtuar, kujtojmë dhe solidarizohemi me familjarët e viktimave të 11 shtatorit, të cilët humbën jetën pafajësish nga mania radikale e një sulmi terrorist.”

I pari i LDK’së ka thënë se Kosova do të mbetet gjithmonë në krah të SHBA’së.

“Kosova do të mbetet gjithmonë krah për krah me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke mbrojtur lirinë, paqen dhe demokracinë si vlera të përbashkëta të dy popujve tanë!”

 

 

 

Komento: