Abdixhiku për situatën me pandeminë: Nga një ditë zie e kemi përditë, Qeveria vazhdon të sillet sikur asgjë s’po në dorë

16:17 | 25 Gusht 2021

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas rritjes së numrit të viktimave si pasojë e infektimit me coronavirus në vend dhe rasteve të reja pozitive.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Abdixhiku ka kritikuar Qeverinë duke thënë se po sillet sikur asgjë nuk po ndodhë.

“Qeveria vazhdon të sillet sikur asgjë nuk po ndodhë; sikur asgjë s’kanë në dorë. 17 të vdekur pardje, 13 dje, 14 sot. E meqë s’po merren me pandemi, çfarë po bëjnë të gjithë aty? Me çka e kalojnë kohën një ushtri pushtetarësh dje e sot – në ditët kur na vdesin plot 44 qytetarë?”, ka shkruar ai.

Tutje Abdixhiku thotë se ekspozitat e Hotelit Grand e simpoziumet gjuhësore të cilat po i viziton kryeministri Kurti, mund të presin pak.

“Ekspozitat e pikturave të Hotelit Grand e simpoziumet gjuhësore – me të cilat duket se Kryeministri megjithatë gjenë kohë – mund të presin pak. Në vend të tyre duhet të prijë. Bashkë me ministrin e Shëndetësisë mëngjes e mbrëmje me çdo kapacitet shtetëror vetëm me pandemi – në spitale, inspektorat, polici e Qeveri. Barabartë me mijëra mjekë që po ballafaqohen me pandemi e me 24 mijë të infektuar që i kemi aktualisht, Asgjë tjetër s’ka sot më shumë rëndësi. Asgjë!”, ka përfunduar kreu i LDK-së.

Ndryshe, vetëm në 24 orët e fundit humbën jetën 14 qytetarët dhe u konfirmuan edhe 2 mijë e 541 raste të reja pozitive. /ORAinfo/

Komento: