
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar para mbajtjes së Kuvendit të Jashtëzakonshëm të LDK-së, i cili është thirrur me kërkesë për shkarkimin e tij nga pozita e kryetarit.
Abdixhiku ka thënë se ky është Kuvendi i katërt gjatë pesë viteve të udhëheqjes së tij në krye të partisë, duke theksuar se në tri raste të mëparshme ka kërkuar vetë besimin e anëtarësisë.
“Kam thirrur Kuvendin e Jashtëzakonshëm të LDK-së. Siç ma kërkuan, për shkarkimin tim. Në pesë vite si Kryetar, ky është Kuvendi im i katërt. Në tri prej tyre, kam dalë vetë para anëtarësisë dhe kam kërkuar besimin e saj”, ka shkruar Abdixhiku.
Ai ka vlerësuar se procesi i nisur për shkarkimin e tij është i panevojshëm dhe i dëmshëm për partinë.
“E kam konsideruar këtë Kuvend të panevojshëm, të pakohë, të pavend. Si proces të njëanshëm e konsideroj të dëmshëm; e konsideroj dhe përçarës. Jo për fatin tim individual, por për plagët që veçse ia ka lënë LDK-së”, ka deklaruar ai.
Megjithatë, lideri i LDK-së ka thënë se do ta respektojë vendimin e strukturave të partisë, duke theksuar se demokracia duhet pranuar edhe kur rezultatet nuk përputhen me bindjet personale.
“Demokracia këtë ka. Si të tillë, më duhet ta pranoj. Edhe kur nuk më duket e drejtë. Unë e respektoj demokracinë; sepse e besoj. Prandaj ballafaqohem”, ka thënë Abdixhiku.
Ai u ka bërë thirrje delegatëve të LDK-së që të marrin pjesë në Kuvend dhe të qëndrojnë në mbështetje të tij.
“Unë do të hyj në këtë Kuvend me bindje, me qetësi dhe me besim të plotë tek njerëzit tanë. Dhe në këtë rrugëtim, do të qëndroj. Sepse përveç bindjes s’kam asgjë tjetër”, është shprehur ai.
Abdixhiku ka kërkuar nga delegatët që të “qëndrojnë”, duke thënë se Kuvendi mund të shërbejë për të sjellë qartësi për të ardhmen e LDK-së.
“Qëndroni, sepse, ndonëse ky nuk është Kuvendi që kam kërkuar, ai mund të bëhet Kuvendi që i jep LDK-së atë që i ka munguar më së shumti, qartësinë. Qartësinë se kjo shtëpi e madhe e demokracisë është veç e anëtarësisë”, ka shkruar ai.
Kuvendi i Jashtëzakonshëm i LDK-së pritet të mbahet të enjten, më 30 korrik, ku delegatët do të votojnë lidhur me të ardhmen e udhëheqjes së partisë.
“Të enjten, më 30 korrik, përcaktojmë LDK-në. Pas saj, le të përcaktojmë Republikën”, ka përfunduar Abdixhiku.