Abdixhiku premton investime të mëdha për Prishtinën: 1.5 miliard euro dhe projekte të reja për qytetin

20:38 | 23 January 2025
abdixhiku-premton-investime-te-medha-per-prishtinen:-1.5-miliard-euro-dhe-projekte-te-reja-per-qytetin

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, u rikthye sërish në shkollën e tij “Gjergj Fishta” në Prishtinë.

Kësaj radhe, kreu i LDK-së rikthimin e tij e bëri si kandidat për kryeministër, ku kërkoi votën e prishtinalive.

Në tubimin elektoral në degën e dytë të LDK-së në Prishtinë, Abdixhiku tha se 1.5 miliard euro do të investohen në kryeqytet.

“Sot nuk ka listë më të fuqishme se sa ajo e LDK-së, nuk ka alternativë që i ofron Kryeqytetit se sa ajo e LDK-së. 1.5 miliard euro për Kryeqytetin sepse janë tuajat dhe ato 1.5 miliard euro do ta bëjnë transformimin e kryeqytetit. Kam nënshkruar me kryetarin Rama stadiumin e qytetit ku nga 5 miliardë euro që do të kemi investime kapitale në krejt Kosovën, 1.5 miliard euro do të jenë vetëm për Kryeqytetin dhe punën e parë do ta bëjmë nënshkrimin për Unazën e Jashtme, ku kostoja e saj është 206 milionë euro, ndërsa shpronësimi prej 154 milionë euro do të bëhet nga niveli qendror”, u shpreh Abdixhiku.

Zotim tjetër i Abdixhikut ishte edhe ndërtimi i Spitalit të ri të Kosovës dhe Qendra Kombëtare e Sportit.

“150 mijë metra katror dhe do të kushtojë 500 milionë euro dhe do të ketë klinika të reja që i duhet e gjithë Kosovës. Do të ketë lokacion të ri. Në vend të QKUK-së do të ketë një park të ri që i duhet Prishtinës. Stadiumi kombëtar, pishinë olimpike, Fakulteti i Edukatës Fizike dhe qendër hotelierike dhe komerciale”, tha ai.

Kreu i LDK-së premtoi që nga shtatori do të nisë mësimi tërëditor edhe në shkollën “Gjergj Fishta” në Prishtinë. /EO

Komento: