Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), dhe kandidati për kryeministër, Lumir Abdixhiku, ka prezantuar sot projektin ambicioz për transformimin e Brezovicës në një qendër të fuqishme ekonomike dhe turistike.
Gjatë vizitës së tij në Brezovicë, Abdixhiku njoftoi se plani i tij parashikon investime në infrastrukturën dhe zhvillimin e turizmit, me një fond prej mbi 80 milionë euro.
“Ky aset kombëtar i falur nga Zoti, Brezovica, do të transformohet në një resurs të fuqishëm ekonomik dhe turistik, pas datës 9 shkurt,” tha Abdixhiku, duke theksuar se ky projekt do të krijojë mundësi të reja punësimi dhe zhvillim për të gjithë rajonin.
Ai shtoi se projekti përfshin ndërtimin e teleferikëve të rinj, gondola dhe shtigje të reja për skijim.
“Do të investojmë fort dhe shumë për Brezovicën, me 80 milionë euro të parashikuara për përmirësimin e infrastrukturës, pa përfshirë investimet private për komplekse hotelierike dhe mirëmbajtje,” theksoi Abdixhiku.
Ai gjithashtu foli për gjendjen aktuale të Brezovicës, duke theksuar se “Brezovica ka mbetur peng i guximit për të investuar” dhe premtoi se si Kryeministër do të kujdeset personalisht për mbikëqyrjen e këtij investimi. “Brezovica do të jetë një qendër model për Kosovën, duke përdorur partneritetin publiko-privat për zhvillimin e saj,” shtoi ai.