Abdixhiku, Qeverisë e ZRRE’së: Ktheni paratë qytetarëve

12:10 | 21 Maj 2022

Kreu i LDK’së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji duhet të shkarkohet menjëherë, duke thënë se LDK’ja do të nis të gjitha procedurat e nevojshme në këtë drejtim, nga e hëna.

Sipas tij, shkarkimi i bordit është i paalternativë.

“Nga e hëna, LDK do të nisë të gjitha procedurat e nevojshme parlamentare në këtë drejtim. Kuvendi i Kosovës ka për detyrim sanksionimin e paligjshmërisë.

Shkarkimi është i paalternativë. Siç është e paalternativë dhe përgjegjësia morale e secilit deputet, ministër e vet kryeministrit që me bindje plot mbronin këtë vendim plaçke e diskriminimi që tani më ka marrë vulën e turpit e paligjshmërisë”, ka shkruar Abdixhiku.

Ai ka bërë thirrje që qytetarët të kompensohen menjëherë për muajt që kanë paguar me tarifat e shtrenjta.

“Nga sot, fatura tuaja elektrike do të llogariten pa shtrenjtim. Por, nga shkurti e deri më sot, qeveria e paaftë e Kosovës ju ka detyruar të paguani kundërligjshëm rrymën me rritje deri në 100%.

Tarifat u detyruan t’i kthejnë. Tani duhet kthyer edhe paratë e plaçkitura kundërligjshëm për disa muaj rresht. Janë para tuaja; u janë marrë pa të drejtë. Dhe jo vetëm kaq. Bordi i Qeverisë e ZRRE-së, i njëjti që për muaj rresht e në mes të dimrit, ngarkoi familjet kosovare me çmime astronomike në energji – duhet të shkarkohet menjëherë. Ata s’kanë më asnjë kredibilitet”, ka shkruar Abdixhiku.

Komento: