
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas dorëheqjes së Hykmete Bajramit nga pozita e nënkryetares së partisë, duke njoftuar se ka ofruar dorëheqjen e tij nga posti i kryetarit.
Abdixhiku tha se vendimi nuk pasqyron opinionin e tij personal, por është rezultat i një debati pesë orësh me pjesëtarët e partisë, ku janë diskutuar çdo kritikë, shqetësim dhe mendim.
“Kam marrë hapin më moral që një kryetar mund ta marrë: kam ofruar dorëheqjen time. Kam hapur rrugën për secilin që ka pretendime. Jeni të lirë të garoni; në Kuvend e keni mundësinë. Tani vendimi nuk është më i imi, është i LDK-së,” tha ai.
Kryetari i LDK-së theksoi se nuk është i lidhur pas pozitës, por pas “shtëpisë” së partisë, dhe bëri thirrje që debati dhe vendimmarrja të zhvillohen hapur në Kuvend, duke respektuar institucionet dhe demokracinë e brendshme të partisë.
“Sepse mbi çdo emër është LDK. Dhe kështu na takon të gjithëve,” përfundoi Abdixhiku, duke nënvizuar rëndësinë e përgjegjësisë dhe respektit ndaj vendimeve të partisë.