Abdixhiku: Tejet i rrezikshëm zhgënjimi i ShBA-ve me Qeverinë e Kosovës

22:41 | 28 October 2022

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku e ka vlerësuar të rrezikshëm zhgënjimin e shprehur publikisht të SHBA-së me Qeverinë e Kosovës për çështjen e targave.

Ai ka thënë se marrëdhëniet me ndërkombëtarët janë fundamentale për të fituar një pozicion më të mirë ndërkombëtar për Kosovën.

“Në kohë të zhvillimeve të ndjeshme politike, Qeveria e Kosovës duhet të trajtojë me kujdes relacionet me partnerët e përhershëm dhe strategjikë, ShBA-të dhe BE-në. Institucionet e vendit duhet t’i trajtojnë me ndjeshmëri të lartë rekomandimet dhe kërkesat e miqve tanë. Sjellja me arrogancë ndaj kërkesave të partnerëve tanë, dëmton interesat strategjike të vendit dhe mund të prodhojë pasoja afatgjata në rrugëtimin tonë politik. Siç na mëson e shkuara, këto marrëdhënie janë fundamentale për të fituar një pozicion më të mirë ndërkombëtar për vendin tonë si dhe për të ndjekur synimet tona strategjike.

“Është tejet brengosës fakti që Qeveria e ShBA-ve shprehet e zhgënjyer dhe e shqetësuar nga veprimet e Qeverisë së Kosovës. E drejta e zbatimit të ligjit në gjithë territorin e vendit, e ritheksuar në këto rekomandime ndërkombëtare, duhet të vlerësohet si garancë për vendin tonë. Kosova ka çdo të drejtë në vendosjen e ligjshmërisë; siç dhe e ka domosdoshmëri koordinimin me aleatë në ndjekjen e synimeve strategjike”, ka thënë Abdixhiku.

Abdixhiku me bashkëpunëtorë ka qëndruar në Dragash, në kuadër të cilkit debatues e diskutues me qytetarë “LDK ju dëgjon”.

Komento: