Abdixhiku thërret Kuvendin e partisë të shtunën: LDK s’frikësohet nga anëtarësia e vet

11:32 | 26 Janar 2026

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se LDK do të mbajë këtë të shtunë mbledhjen e Kuvendit në ora 12:00, ku do të diskutohen dhe vendosen çështjet e brendshme të partisë.

Ai ka theksuar se vendimet e LDK-së merren në mënyrë të hapur, me debat dhe votë të lirë të anëtarësisë.

“LDK nuk është parti që frikësohet nga anëtarësia e vet, as nga vota, as nga gara. Vendimet e saj i ka marrë gjithmonë në Kuvend, mes njerëzve të vet, hapur, me debat dhe pa frikë; dhe në fund, me shumicë. Edhe në kohë shumë më të vështira se kjo. Kështu do të veprojmë sërish, këtë të shtunë. Këtë të shtunë mblidhemi për të diskutuar dhe për të vendosur mbi të gjitha çështjet tona, me vullnet të lirë dhe me votë të lirë, ashtu siç i takon një partie demokratike që respekton anëtarësinë e saj dhe asnjë interes tjetër veç saj. Ky është parimi ynë dhe mënyra jonë e veprimit. LDK nuk di ndryshe”, ka shkruar Abdixhiku.

Sipas Abdixhikut, procesi synon forcimin, organizimin dhe funksionalizimin e mëtejshëm të partisë.

Kryetari i LDK-së njoftoi se ftesat zyrtare për delegatët tashmë janë dërguar dhe se Kuvendi do të vendosë për drejtimin e ardhshëm të partisë.

“Koha tani të flasë anëtarësia jonë. Nga ky proces do të dalim më të fortë, më të organizuar, më funksional e më të përqendruar te e ardhmja e LDK-së dhe e Kosovës. Sot kam dërguar ftesën zyrtare për delegatët e LDK-së. Të shtunën takohemi për të vendosur drejtimin e shtëpisë sonë”, ka shkruar ai.

Komento: