Abdixhiku thotë se ka konsensus për kryetarin e ri të LDK-së

09:34 | 03 August 2019

LDK mban sot Kuvendin e IX Zgjedhor, ku do të votohet për kryetarin e partisë.

Pak minuta para se të fillojë punimet Kuvendi, deputeti Lumir Abdixhiku ka thënë se kanë arritur konsensus për Shefin e LDK’së, por nuk e ka mohuar as mundësinë se mund të ketë disa kandidatura. Ka thënë se në LDK gjithçka është demokratike.

“Jo nuk jam kandidat. LDK’ja ka arritë që të formojë një konsensus për ecjen tutje. Për dallim prej partive ku gjithçka dihet para procesit, në LDK gjithcvka është demokratike. Kështu do të duhej të ishte në të gjitha partitë. Përballja e LDK’së nuk është brenda, por jashtë më partitë e tjera politike”, ka thënë Abdixhiku për T7.

Abdixhiku ka folur edhe për incidentet nëpër kuvendet zgjedhore. Ai ka thënë se këto incidente nuk mund ta dëmtojnë imazhin e LDK’së.

Ndërkohë, në njoftimin me të cilin i fton mediat që të përcjellin këtë aktivitet, i cili mbahet sot, në orën 10:00, bëhet me dije se mediat mund të marrin vetëm pamje në hyrje të hotelit ku mbahet ky Kuvend.

LDK-ja do të mjaftohet me konferencë për media pas punimeve të Kuvendit Zgjedhor.

“Më datë 3 gusht 2019, në orën 10:00, Lidhja Demokratike e Kosovës finalizon procesin zgjedhor, mban Kuvendin e IX Zgjedhor. Kuvendi mbahet në Emerald Hotel. Regjistrimi i pjesëmarrësve bëhet nga ora 09:00. Në pjesën hyrëse mediet mund të marrin pamje. Pas punimeve të Kuvendit, LDK mban konferencë për medie”, thuhet në njoftimin e LDK-së.

Kjo nuk është hera e parë që LDK-ja mbyll për media punimet në Kuvende Zgjedhore, pas atij që njihet tashmë si Kuvendi i karrigeve.

Në Kuvendin e kaluar, në maj të 2015-s, në të cilin probleme kishte pasur me Vjosa Osmanin të cilës i ishte mohuar kandidimi si dhe me Donika Gërvalla Schartz, mediat ishin larguar nga salla, në momentin që kishin nisur pakënaqësitë mes delegatëve për përfaqësim në Këshillin Drejtues të partisë.

Isa Mustafa ishte rizgjedhur kryetar, me aklamacion në këtë Kuvend. Ndërsa për herë të parë ai ishte zgjedhur në vitin 2010, derisa kundërkandidat e kishte kryetarin e deriatëhershëm Fatmir Sejdiu. E ky i fundit ka shprehur kandidaturën për t’u kthyer në krye të LDK-së

Komento: