Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, u takua me struktura e qytetarë të Pejës, me ç’rast diskutoi për programin e ri të LDK-së si dhe për krizat nëpër të cilat po kalon vendi, me theks të veçantë për ato ekonomike.
Ai diskutoi për gjendjen e vështirë ekonomike dhe nevojën për zhvillim, për krizat e thelluara, sipas tij, nga qeveria si dhe ndëshkimin që po u bën qytetarëve.
“Kjo qeveri mund të ushqehet me kriza e të jetojë nga to, mirëpo çmimi i këtyre krizave është bërë i papërballueshëm për qytetarët. Nuk mund që qytetarët fillimisht t’i braktisësh e pastaj edhe t’i ndjekësh për t’i ndëshkuar. Rasti i fundit ishte kur 25 mijë familje të mësimdhënësve u përballën me ndëshkimin qeveritar, duke u dënuar kolektivisht në ditë të demokracisë. Mësimdhënësve ia ndalën pagat duke ia vështirësuar jetën edhe më tej, duke mos u mjaftuar me vështirësitë e krizave të tjera që ata si tërë shoqëria po kalojnë”, theksoi kryetari Abdixhiku.
Ai shtoi se LDK nuk do të lejoj që pushteti t’i ndajë e t’i ndëshkojë qytetarët.
“LDK dhe qytetarët janë bashkë dhe të pandarë. Raporti ynë me qytetarë është jetik për të ardhmen e zhvilluar dhe të sigurt të republikës”, nënvizoi Abdixhiku. Ai tha se LDK-ja po qëndron bashkë me qytetarët në ditë të vështira për të gjithë, në mënyrë që së bashku ta ndërtojnë programin qeverisës për ditë të mira për të gjithë.
Ai tha se në periudhën kulminante të padëgjueshmërisë qeveritare, LDK-ja po i dëgjon hallet e brengat e qytetarëve anembanë vendit.
“LDK po i dëgjon mësuesit që deri dje i dënuan me ndalje të pagës. Po i dëgjon nxënësit që i lanë për pesë javë larg bankave shkollore. Po i dëgjon prindërit e nxënësve që iu kishte shtuar edhe një krizë nga mos nisja e procesit mësimor. Po i dëgjon mjekët që po trajtohen keq e po ikin, si dhe pacientët që nuk po marrin shërbimet e duhura shëndetësore. Po i dëgjon qytetarët që po jetojnë keq gjersa çmimet e produkteve po rriten me ritëm të shpejtë. Po i dëgjon ndërmarrësit të cilët trajtohen si miq për mbushje të buxhetit e si armiq të përbetuar të pushtetit. Po i dëgjon familjarët e mbi 100 mijë punëtorëve që kanë ikur nga vendi në kohën e kësaj qeverie”, theksoi kryetari Abdixhiku.
Më tej, Abdixhiku, tha se po i dëgjon dhe adreson të gjitha sfidat nëpër të cilat po kalon vendi, krizën energjetike e cila pritet të thellohet në dimër, ku shtoi se LDK-ja ka ofruar një plan prej dhjetë pikave, por që nuk po dëgjohet nga pushteti.
Sipas tij, LDK-ja ka ofruar propozime konkrete për lehtësimin e krizës së rritjeve të çmimeve ku inflacioni ka arritur 20 për qind, e çmimi i produkteve të shportës është dyfishuar, ndërsa buxheti për investime kapitale është realizuar vetëm 11 për qind, mirëpo shtoi se prapë ky pushtet nuk po dëgjon, dhe atë në kohën kur kriza ekonomike pritet të jetë më e rënda në dekadën e fundit.