Abdixhiku tregon se çfarë i kërkoi Kurtit në takimin e sotëm

13:23 | 26 September 2021

Lumir Abdixhiku, ka zbuluar më shumë rreth takimit me Albin Kurtin.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar sot me liderët e subjekteve opozitare në Kuvend. Ai në zyrën e tij në Qeveri e ka pritur në takim kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi dhe kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

Ky i fundit është deklaruar se çfarë i kërkoi Kurtit në takim.

Me anë të një postimi në profilin e tij në Facebook, Abdixhiku tha se në takim ka shprehur shqetësimet për gjendjen e krijuar në Veri, njëkohësisht ka thënë se Kosova nuk e ka luksin të durojë tensionet në territorin e vet.

Abdixhiku thotë se Kurtit i ka kërkuar që për këtë çështje të ketë koordinim të plotë me aleatët tanë; “në veçanti me SHBA-të dhe BE-në”.

Postimi i tij i plotë:
Pas propozimit tonë të djeshëm dhe ftesës së Kryeministrit, sot në mëngjes, së bashku me Kryetarin e PDK-së z. Krasniqi, u takuam me Kryeministrin Kurti.

Në takim, shpreha shqetësimet tona për gjendjen e krijuar në Veri. Dhashë mbështetje për shtrirjen e ligjshmërisë në vend dhe për punën e Policisë tonë atje. Në kohë si këto, uniteti ynë është esencial.

Njëkohësisht kërkova qartësime shtesë për rrugën tonë përpara, qartësime që duhet të na vijnë sa më parë. Kosova nuk e ka luksin të durojë tensionet në territorin e vet.

Kryeministrit Kurti i kërkova poashtu koordinim të plotë me aleatët tanë; në veçanti me SHBA-të dhe BE-në. Është përgjegjësi e detyrim i tij dhe Qeverisë që koordinimi të bëhet menjëherë.

Të shtunën, më 25 shtator, Qendra e Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok është djegur, ndërsa është sulmuar edhe Qendra e Regjistrimit Civil në Zveçan.

Sipas hetimeve preliminare aty janë hedhur dy bomba dore, por të cilat “nuk kanë eksploduar”.

Për shkak të zhvillimeve në veri, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani më 25 shtator ndërpreu vizitën e saj në Shtetet e Bashkuara dhe u nis drejt Kosovës.
Më herët gjatë të shtunës, Kurti deklaroi se dy sulmet në veri, ishin të qëllimshme.

“Individë ose grupe të cilave sundimi i ligjit dhe rendi e siguria publike ua rrezikon aktivitetin kriminal po e sulmojnë shtetin tonë dhe po e cenojnë paqen. Qartazi ata po i nxit e mbështet Serbia, përkatësisht regjimi autokrat atje. Fatkeqësisht, para syve të bashkësisë ndërkombëtare, Serbia po përdorë qytetarë të Kosovës për të provokuar konflikt serioz ndërkombëtar”, tha Kurti.

Ai tha se akte të tilla nuk do të tolerohen, ndërkaq u bëri thirrje qytetarëve në veri të vendit që ta ruajnë qetësinë dhe të bashkëpunojnë me institucione.

Më herët gjatë të shtunës, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla tha se përkundër veprimeve të tilla, Qeveria e Kosovës do të vazhdojë të zbatojë vendimin për masën e reciprocitetit për targat me Serbinë, në tërë territorin e Kosovës.

“Këto veprime kriminale tregojnë më së miri se çfarë do të ndodhte në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak nëse nuk do të kishim praninë e njësive speciale për të garantuar rend dhe siguri”, ka shkruar Sveçla në rrjetin social Facebook.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se dy sulmet e së shtunës në Zubin Potok dhe Zveçan, dëshmojnë se Serbia është “burimi kryesor i destabilizimit në rajon”.

Ajo i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të mos injorojë, atë që ajo e cilësoi si tendencë të Rusisë dhe Serbisë për destabilizimin e rajonit dhe më gjerë.

Komento: