
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, i ka cilësuar “për keqardhje” qëndrimet e disa deputetëve të partisë së tij ditëve të fundit.
Të martën, deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, kërkoi konventë të partisë për të përcaktuar “ekipin që do ta udhëhiqte LDK-në në zgjedhjet e ardhshme”. E ditë më parë ai rekomandoi Kujtim Shalën për kryetar të LDK-së e Hykmete Bajramin për kandidate për kryeministre. Vetë Bajrami ka pranuar po ashtu se mund të jetë kandidate për kryetare në zgjedhjet e ardhshme.
“Mendoja se e kanë për parime e për Kosovë; por beteja qenka për kryetar të LDK-së për njëri-tjetrin. Për keqardhje! LDK njihet ndryshe. Me klasë politike që dikur jepte gjithçka për shtetin, jo me të atillë që do ta japë shtetin për vete. Zot, fali, kaq dinë; se populli s’ka për t’i falur!” ka shkruar Abdixhiku në Facebook.