Abdixhiku udhëton për në ShBA, takime zyrtare në Departamentin e Shtetit

10:20 | 13 November 2022

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku sot udhëton për në ShBA ku do të zhvillojë disa takime të rëndësishme.

I pari i LDK-së ka bërë me dije se në ShBA do të qëndrojë një javë dhe se do të ketë takime edhe në Departamentin e Shtetit.

“Unë kam një vizitë në ShBA, një javore, të aranzhuar kohë më parë, e cila do të nis javën e ardhshme, pra do të fluturoj të dielën për në Washington dhe atje do të zhvilloj takime zyrtare që i kemi paraparë në State Department, takime me kongresmenë e senatorë, në institucione të sigurisë amerikane, me think-tanke të pavarura, me figura të rëndësishme atje, si pjesë e angazhimit tonë politikë. Ka njëfarë tradite LDK’ja historike dhe një relacion të ngushtë edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka thënë Abdixhiku.

Abdixhiku ka thënë se atje s’do t’ia bëjë opozitën Qeverisë, por se do të flasë vetëm për zhvillimin e vendit.

“Më lejoni të bëj të qarrë se atje do të bëj përfaqësimin me pikëpamjet tona sa i përket zhvillimit të vendit, jo të bëj opozitë kundrejt Qeverisë. Pra, nuk është ky qëllimi i vizitës. Unë asnjëherë nuk bëj opozitë jashtë vendit…Unë nuk dal jashtë ta shaj vendin tim”, ka deklaruar Abdixhiku.

I pyetur nëse këto vizita mund të konsiderohen favorizim për opozitën e sanksionim për Qeverinë, Abdixhiku ka deklaruar së është interes i vendit që përfaqësuesit shtetëror të Kosovës të kenë vizita sa më të shpeshta në ShBA.

“S’dua ta lexoj ashtu dhe s’do të doja ta lexoja ashtu. Po them edhe njëherë që është interes i vendit që përfaqësuesit shtetëror të Kosovës të kenë vizita sa më të shpeshta në ShBA, t’kenë lidhje sa më të ngjeshura atje”, ka thënë ai.

Komento: