Abdixhiku uron shqiptarët për 28 Nëntorin: “Kujtojmë të shkuarën, nderojmë të rënët dhe punojmë për të ardhmen”

10:38 | 28 November 2024
abdixhiku-uron-shqiptaret-per-28-nentorin:-“kujtojme-te-shkuaren,-nderojme-te-renet-dhe-punojme-per-te-ardhmen”

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka uruar të gjithë shqiptarët për 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit dhe 112 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.

Abdixhiku tha se Shqipëria u bë një realitet përmes sakrificës dhe guximit të një brezi të lavdishëm, duke shtuar Shqipëria si shtet pas tërë këtyre viteve të pavarësisë, është faktor i paqes dhe stabilitetit në rajon.

“Gjithë shqiptarëve kudo që janë urime 28 Nëntorin – Ditën e Flamurit, ditën historike, që u fitua me shumë sakrificë nga patriotët, burrat e gratë, që kishin ideal të përbashkët, aspiratën e kahershme për liri e pavarësi. Në këtë ditë feste, kujtojmë me krenari lindjen e një kombi të lirë dhe pavarur, të ndërtuar mbi idealin dhe vlerat e përbashkëta kombëtare. Shqipëria u bë një realitet përmes sakrificës dhe guximit të një brezi të lavdishëm, i cili vendosi të sfidojë çdo pengesë për të shpallur pavarësinë dhe për të ndërtuar një shoqëri, mbi vlerat e lirisë dhe demokracisë. Kjo datë, përkon me ditëlindjen e Gjergj Kastriotit Skenderbeut; mban emrin e Ismail Qemailit bashkë me patriotët e tjerë, që shpallën pavarësinë e Shqipërisë”, tha Abdixhiku përmes këtij urimi.

Ai ka kujtuar edhe Presidentin historik, Ibrahim Rugova e komandantin, legjendar Adem Jashari.

“Sot, e kujtojmë dhe Presidentin historik, Ibrahim Rugova, që me idenë dhe bërjen e shtetit të Kosovës, e plotëson këtë ditë të madhe. E kujtojmë komandantin legjendar, Adem Jashari, sakrifica e të cilit është shembull për mbrojtjen e pragut të shtëpisë. I kujtojmë e nderojmë dëshmorët, heronjtë dhe luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pa kontributin e tyre, Kosova dhe Shqipëria nuk do të ishin si sot! Shqipëria si shtet pas tërë këtyre viteve të pavarësisë, është faktor i paqes dhe stabilitetit në rajon. Mesazhi i Ditës së Flamurit është i qartë: Kujtojmë të shkuarën, nderojmë të rënët dhe punojmë për të ardhmen e shqiptarëve kudo që janë. Zoti i bekoftë shqiptarët!”, përfundoi ai. /FrontOnline/

Komento: